27 Nëntori i këtij viti është data kur qeveritë e dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë do të mblidhen në Korçë, para se gjithash për të forcuar linjat e komunikimit dhe ndërveprimit në mes nesh, duke thelluar interesat tona ekonomike të cilat janë jetike për fatet tona.
Ajo që duhet të iniciohet nga Qeveria e Kosovës, si prioriteti ekonomik numër një është: Projekti i ndërlidhjes hekurudhore Durrës-Tiranë-Milot-Prizren-Prishtinë-Nish. Kjo ngase nuk mund të mendohet integrimi ekonomik pa hekurudhë. Nëse aplikojmë në SEETO bashkërisht: Shqipëria, Kosova dhe Serbia, ky projekt kthehet në prioritet rajonal.
Komisioni Europian ka prioritet numër një zhvillimin e hekurudhave në rajon, duke subvencionuar 50% të projekteve hekurudhore. Derisa Serbia ka marrë financime disa miliardë euro nga BE, Rusia, Kina etj. vetëm për hekurudha dhe se 56% të mallrave të saj i transporton me hekurudhë, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më i pa zhvilluar në sektorin hekurudhor në rajon.
Hapi i menjëhershëm pas dakordimit midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë për ,,Hekurudhën Milot-Prizren’’ duhet të jetë që qeveritë e të dy vendeve të paraqesin një kërkesë të përbashkët drejtuar Komisionit Europian : ,, Mbi zgjatimin/degëzimin e Korridorit Hekurudhor nga Prishtina në Milot dhe klasifikimin e këtij segmenti si rrjet kryesor në agjendën e Ndërlidhjes së 6 Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për të marrë mbështetje maksimale nga KE, kësaj kërkese duhet t’i bashkëngjitet edhe Serbia, e cila i ka dhënë të gjitha sinjalet e dakordimit me këtë projekt.
Qëllimi strategjik i Kosovës është të ketë pikë referente portin e Durrësit dhe të jetë ekonomikisht e pavarur nga portet tjera si të: Tivarit në Mal të Zi dhe Selanikut në Greqi.
Investitorët që kanë shprehur interesim për këtë projekt janë: Europian Investment Bank, Intesa San Paolo Bank, Engel Invest, Strabagdhe China Railways. Partnerët tjerë strategjik
potencial janë edhe Deutsche Bank, FS Italian, WSP, Parsons, Brinckerhoff. Ndërsa realizimi i një pjese mund të bëhet me Partneritet Publiko- Privat (PPP).
Për fund duhet theksuar se hekurudhat kanë kosto shumë më të lirë se qarkullimi rrugor, si për për qarkullim të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, andaj ky projekt duhet të realizohet sa më parë. Ndërkaq qeveritë përkatëse për të treguar seriozitet në këtë projekt do të duhej që në vitin e ri fiskal 2018 të ndajnë fonde për participim në këtë projekt.
(Autori është nënkryetar i AAK-së dhe këshilltar për çështje ekonomie i kryeministrit Ramush Haradinaj)