Kosova dhe Shqipëria drejt doktrinës së përbashkët ushtarake

Prishtinë | 25 Dhj 2025 | 10:10 | Nga Gzim Mujaj

Vizita e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji, në Kosovë u vlerësua si tregues i thellimit të bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe Shqipërisë, me fokus në doktrinën e përbashkët operacionale, ndërveprueshmërinë dhe integrimin euroatlantik, vlerëson eksperti i sigurisë Drizan Shala, raporton Ekonomia Online.

Ai për Ekonomia Online tha se kjo vizitë bart mesazhe të qarta strategjike, politike dhe ushtarake për forcimin e rolit të FSK-së dhe FARSH-it në sigurinë rajonale dhe në misionet ndërkombëtare.

Shala tha se kjo vizitë është tregues i zbatimit të marrëveshjes trepalëshe, Kosovë-Shqipëri- Kroaci, e cila do të ketë implikime të drejtpërdrejta progresive në disa fusha kyçe.

“Sa i përket vizitës së shefit të shtabit të ushtrisë shqiptare me shefin e shtabit të ushtrisë së Kosovës, pa dyshim është tregues dhe bazohet kryesisht në marrëveshjen tripalëshe, ku në këtë marrëveshje do të kemi implikime të drejtpërdrejta progresive sa i përket doktrinës ushtarake dhe sa i përket operacionalitetit, pra bashkëpunimeve operacionale mes ushtrisë së Kosovës dhe ushtrisë së Shqipërisë. Njëkohësisht do të kemi një segment tjetër të rëndësishëm, atë të teknologjisë së industrisë ushtarake, ku Kosova dhe Shqipëria do të prodhojnë mjete të blinduara dhe armatim, të cilat do të përshkruhen në etiketën e tyre ‘Made in Kosovo and Albania’”, tha ai.

Shala theksoi se bashkëpunimi mes dy ushtrive do të reflektohet edhe në aspektin doktrinar dhe operacional, duke ndikuar drejtpërdrejt në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Pra, në aspektin doktrinar do të kemi një doktrinë të përbashkët operacionale mes Ushtrisë së Shqipërisë dhe Ushtrisë së Kosovës. Në aspektin e operacionalitetit, FSK-ja dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të bashkëpunojnë në krijimin e paqes dhe stabilitetit, sepse deri më tani duhet ta kuptojmë qartazi që ushtria e Shqipërisë, vizita e saj, vizita e shefit të shtabit edhe me komandantin e KFOR-it, nuk është vetëm si reflektim i sigurisë, por është një tregues i një pozicioni strategjik të Forcave të Armatosura shqiptare në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike, duke marrë përgjegjësi dhe duke ofruar stabilitet në misionet e saj, qoftë në KFOR, qoftë në misionet e NATO-s në pjesën e Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha ai.

Sipas tij, vizita e shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shqipërisë në Kosovë bart edhe mesazhe politike dhe ushtarake me rëndësi për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Mesazhi i vizitës së shefit të shtabit të ushtrisë së Shqipërisë në Kosovë ka edhe mesazh politik dhe mesazh ushtarak. Mesazhi politik është që Ushtria e Shqipërisë do të akceptohet dhe do të pozicionohet si një forcë kompatibile dhe operacionale me forcat ndërkombëtare, duke dhënë besim që të udhëheqë misionet përkatëse, ku në vitin 2027 kemi zëvendësimin e komandantit të KFOR-it nga Ushtria Shqiptare. Në aspektin ushtarak është një tregues i qartë që Kosova do të ketë rrugëtimin e saj përmes ushtrisë shqiptare drejt integrimeve euro-atlantike, të cilat i ka si synim strategjik”, tha ai.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, ka qëndruar dje në Kosovë, me ç’rast ka zhvilluar takime me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Në këtë takim u diskutuan zhvillimet aktuale të sigurisë, roli i FSK-së në garantimin e sigurisë së Kosovës dhe kontributi i saj në stabilitetin rajonal.

Po ashtu, të dy gjeneralët vlerësuan progresin e FSK-së në fushën e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave në ndërveprueshmëri gjatë aktiviteteve shumëkombëshe, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së FARSH-it në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave.

Ndërkohë, Gjenerallejtënant Arben Kingji zhvilloi takim edhe me Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Ozkan Ulutash, në selinë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Prishtinë. Gjatë këtij takimi, gjeneralët shkëmbyen pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, ndërsa KFOR-i bëri të ditur se Ulutash shprehu vlerësimin e tij për kontributin e Shqipërisë në misionin e KFOR-it.

Të ngjashme