E plotësuar:Kosova dhe Shqipëria për të pestën herë janë bërë bashkë në Pejë. Gjatë këtij takimi pritet të nënshkruhen nëntë marrëveshje bashkëpunimi mes të të dyja vendeve.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e dy Qeverive u shpreh i bindur për mundësinë e nënshkrimit të nëntë marrëveshjeve të cilat do të çojnë në një të ardhme të afërt.
“Jam i lumtur për të arriturat e këtij takimi dhe jam i bindur që mundësia që të nënshkruajmë nëntë marrëveshje do të çojë në një të ardhme të afërt. E di që populli i Kosovës dhe i Shqipërisë presin më shumë nga ne dhe nga këtu do të vazhdojmë të pandalshëm me punët që na presin. Me punë dhe zhvillim ne nderojmë sakrificën për liri gjithë brezave dhe vetëm me punë marrim respektin e të gjithëve”.
“Peja që diti t’i thotë jo ndarjes në 1999, Peja që diti t’i thotë po lëvizjeve kombëtare, Peja e Haxhi Zekës, Peja e qershorit 1999 që u bë shkrum e hi, u rinua që të mos rrëzohet kurrë më. Sot Kosova zbaton prioritetet e reformës evropiane dhe ka përmbushur me sukses 95 obligime të veta 100% për liberalizimin e vizave. Ashtu si çdo vend tjetër edhe Kosova pret që e drejta e vet të respektohet nga BE”.
“Kosova nuk ka mbetur vetëm duke pritur nga tjerët, me sukses i ka kryer punët e veta. Shqipëria çdo herë ka mundur të llogaris në Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogarisë në Kosovën. Edhe Kosova ka llogarit në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar në vitin 1999. Kosova është e kombit tonë dhe aleatëve. Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se për Shqipërinë, Kosova është shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmit e tij. Siç ka thënë Rama, për Kosovën, përveç tjerash, Shqipëria është shteti më i prirur për bashkëpunim.
Kryeministri shqiptar, gjatë takimit të përbashkët të dy qeverive, ka thënë se është dita për ta thënë me forcë se e drejta ndërkombëtare, nuk njeh gjysmë shtete.
“Ne i kemi mirëpritur dhe mirëpresim të gjitha dinamikat dypalëshe apo shumëpalëshe. Por vonesat në procese si Interpoli janë shfaqje dekurajuese për qasjen e partnerëve potencialë që për fat të keq gdhijnë me skema për tu viktimizuar në sytë e botës, ndërkohë që viktima, Kosova ka shfaqur vullnetin për të tejkaluar të shkuarën”, ka thënë Rama.
Ai ka folur edhe rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili sipas tij, nuk është gjithmonë i sinqertë nga ana tjetër.
“Kosova është shëmbëlltyra më kuptimplotë e dëshirës për paqe dhe mishërimi më domethënës i vullnetit për dialogu dhe ndërveprim të sinqertë. Kosova ka treguar se është e aftë të luaj rolin e saj ndërkombëtar, ka bërë përparim thelbësor në rrafshin rajonal. Ne nuk mund veç të konstatojmë se në dialogun me Serbinë, Kosova ka përparuar”.
Megjithatë, sipas Ramës, përpjekjet e Serbisë kanë cenuar këtë “rrugëtim”.
Përveç pamundësisë së depërtimit të produkteve të Kosovës në Serbi, si bllokadë të Serbisë, Rama ka përmendur edhe një moment kur një ministri kosovar i kërkohej që në një fjalim të tij, të hiqej fjala Republika e Kosovës.
“What the fuck” do të thuhej në Bashkimin Evropian.
Agjenda:
10:30 Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë;
12:00 Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive;
12:30 Konferenca e përbashkët për media e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama;
13:00 Fotografia e përbashkët e të dy kabineteve qeveritare.
Delegacioni shqiptar pritet me ceremoni shtetërore në Pejë
Kryeministri Ramush Haradinaj me ceremoni shtetërore ka pritur delegacionin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, raporton Ekonomia Online. Hapjen e mbledhjes do ta bëjnë dy kryeministrat Ramush Haradinaj dhe Edi Rama.
Kabinetet do të informohen lidhur me të arriturat për vendosjen e Pikës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit. Poashtu, pritet të vendosen edhe objektivat e përbashkëta për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Kosovë-Shqipëri.
Në Pejë, do të lidhet edhe Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Do të nënshkruhet Protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë në mes të Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.
Marrëveshje bashkëpunimi do të ketë edhe në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja, dhe marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare. Memorandum Mirëkuptimi do të nënshkruhet edhe ndërmjet Agjencisë për Pronësinë Industriale të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të pronësisë industriale të Shqipërisë.
Dy qeveritë do të nënshkruajnë edhe Protokollin për ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fitosanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Marrëveshje për bashkëpunim do të ketë edhe në fushën e rinisë. Dy kryeministrat do të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës. Kosova dhe Shqipëria, nesër do të dakordohen edhe për njohjen e patentë shoferëve.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë po ashtu do të nënshkruajnë Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.
Për këtë takim Qeveria e Kosovës ka aprovuar shumën prej 128 mijë eurosh. Ky do të jetë takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive.
Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.
Në katër mbledhjet e përbashkëta të qeverive të të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtura ndër vite, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi të cilat kanë pasur për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.
https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/2058657307489571/