Kosova dhe Shqipëria, Serbia në mes

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 21:54 | Nga Mehmet Kraja

Ideja serbe për ndarjen e Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Është paradoksale, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme.

1.

Kohëve të fundit ndarja e Kosovës mori kuptimin e gjedhes politike, si zgjidhje-model e një konflikti të ngrirë, por me një potencial të fshehtë për të frikësuar kosovarët dhe për t’ua kthyer atyre idenë e humbjes pa alternativë. Ndarja u promovua edhe si ide, gjithashtu e fshehtë, e nënshtrimit të popullit kundrejt zotave të politikës, të cilët, duke qenë se janë të pajisur me fuqinë e ndarjes, pra edhe të zhbërjes, del se kanë në dorë potencialin e madh të shkatërrimit. Ndaj tyre populli duhet të rrijë kokulur. Idetë e këtilla në politikë përdoren për të sunduar, nuk përdoren për të zgjidhur ndonjë problem.

Ideja e ndarjes së Kosovës është ide serbe, nuk është shqiptare, as ndërkombëtare. Ajo u shfaq në vitet ’80 të shekullit XX në Serbi, si ide “post-memorandum”, për të gjetur alternativat e zbatimit praktik të manifestit antishqiptar të Akademisë Serbe. Në opinion u bë publik për herë të parë nga Vasa Çubriloviqi, i cili, pasi u dekorua nga Sinan Hasani, kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë, në një intervistë në medie doli me idenë e ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, si zgjidhje e vetme e problemit serb dhe shqiptar në Ballkan. Po pse i duhej Serbisë ndarja e Kosovës? Sepse, pas demonstratave të vitit 1981, demografët serbë të shkollës së Cvijiqit bënë një llogaritje: me Kosovën brenda Serbisë, siç propagandohej atëbotë, në gjysmën e dytë të shekullit XXI Serbia do të kishte mbi 50% të popullsisë me origjinë shqiptare. Kjo ishte perspektivë e zymtë e Serbisë. Prandaj Çubriloviqi, përmes ndarjes së Kosovës, kërkoi “vijë të qartë ndarëse” me shqiptarët.

Më vonë, gjatë viteve ’90, idenë e ndarjes së Kosovës e përfaqësoi dhe e zhvilloi Dobrica Qosiqi. Në opinionin serb kjo ide u promovua edhe si zgjidhje pragmatike e problemit të Kosovës dhe e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Të gjithë politikanët e rëndësishëm të Serbisë të fundit të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI, qofshin të majtë ose të djathtë, qofshin radikalë ose të moderuar, që nga Milosheviqi e Stamboliqi, përfshirë Koshtunicën, Sheshelin e Xhinxhiqin, e deri te Daçiqi, Nikoliqi e Vuçiqi, në punë të politikave nacionale të Serbisë, të çështjes së Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe janë nxënës të dobët të Çubriloviqit dhe të Qosiqit.

Më anë tjetër, pavarësisht se ngjan si spekulim, mënyra si u zbatua spastrimi etnik në Kosovë, si u bënë shkatërrimet dhe dëmtimet pasurore, si u vendos dhe si u sollën trupat franceze të KFOR-it në zonën e Mitrovicës, përfshirë edhe sjelljet e UÇK-së dhe të faktorit politik shqiptar në muajt dhe vitet e para të pasluftës, duket se ideja e ndarjes së Kosovës nga një opsion i Serbisë, kishte kaluar edhe në mendjet politike ndërkombëtare dhe shqiptare.

Tanimë është e ditur se idenë serbe të ndarjes së Kosovës, sipas modelit të Qosiqit, në opinionin shqiptar e promovoi Rexhep Qosja. Ai e artikuloi qartë këtë ide, me atributin “këmbim territoresh”, duke e shndërruar në agjendë politike edhe fantazmën e frikshme të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX: të ashtuquajturën “zhvendosje humane të popullsisë”. Pavarësisht se Qosja nuk foli për ndarje të thjeshtë të Kosovës, por për këmbim territoresh, ky ishte shërbimi më i keq që një intelektual dhe shkrimtar mund t’i bëjë politikës. Me emrin e tij mund të lidhet edhe implikimi i Shqipërisë në këtë çështje, sepse, duke qenë i afërt me proveniencën e majtë dhe duke shërbyer si këshilltar i pashpallur i socialistëve, ideja e Qosjes “u kap në ajër” dhe u kthye në agjendë politike të Edi Ramës. Nuk është fshehtësi se Rama, në skenë dhe në prapaskenë është duke i ndihmuar Vuçiqit për ta promovuar në qarqet ndërkombëtare idenë e ndarjes së Kosovës. Marrë realisht, Edi Rama nuk ka ndonjë llogari të hapur me Kosovën dhe as që mund ta përdor atë për efekt elektoral, vetëm se, duke vazhduar një traditë të angazhimit subversiv të një pjese të faktorit politik të Shqipërisë në dëm të Kosovës, bën akrobacione të këtilla për t’u faktorizuar nëpër kancelaritë e shteteve evropiane, ndërsa shtetin e vet e ka copë-copë nga kontrabanda e drogës, kriminaliteti dhe korrupsioni. Ndërkohë, Hashim Thaçi, ekscentrik dhe plebè në politikë, nuk ka asnjë ide të qartë, por, i tronditur nga reputacioni i rënë brenda dhe jashtë vendit, paraqitet i gatshëm të shkaktojë tronditje përmasash të mëdha, me qëllim të rikthimit dhe të rikuperimit në skenën politike. Që të dy, si Edi Rama si Hashim Thaçi, në punë kombëtare dhe të çështjes së Kosovës vazhdojnë të jenë nxënës të dobët të Rexhep Qosjes.

Ndërkohë, ideja e ndarjes së Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive dhe të lidhur me shtrirje territoriale. Sepse Rama, Thaçi dhe Vuçiq janë politikanë tipikë “postmodernistë”, diktatorë të vegjël të tipit të Erdoganit, të cilët kanë një kredo të përbashkët politike: manipulimin e pashembullt të opinionit.

Është paradoksale, e shëmtuar, zjarrvënëse dhe shkatërrimtare, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme. Nuk shtrohet më problemi se çfarë synimesh kanë këta eksponentë të politikës shqiptare, por thjeshtë duhet pyetur se ç’vende të çmendura janë këto, me parlamente, me qeveri dhe akademi (!), që iu japin mandat njerëzve të këtillë, për të folur për çështje madhore në një mënyrë kaq të papërgjegjshme.

2.

Po pse implikohet Shqipëria në këtë zhvillim politik, i cili ekskluzivisht do të duhej t’i takonte vetëm Kosovës? Dhe përse, pikërisht në këtë rrethanë, në Shqipëri shfaqen zëra që duan t’ia mbajnë krahun Serbisë, së paku duke ua bërë të ditur për të satën herë si serbëve ashtu edhe shqiptarëve (edhe kosovarëve, natyrisht) se Shqipëria është faktori relevant që i përcakton marrëdhëniet shqiptare-serbe dhe se Kosova është vetëm një episod i errët dhe i parëndësishëm i këtyre marrëdhënieve…?

Politikanë dhe analistë të Shqipërisë dinë t’i bëjnë vërejtje të shumta Edi Ramës në punët e udhëheqjes së shtetit dhe për punë të tjera politike, por nuk kam lexuar gjëkundi t’i ketë thënë dikush që të mos i bëjë çorap punët e Kosovës, siç i ka bërë ato të Shqipërisë. Më anë tjetër, nuk mund të gjendet ndonjë rast, që dikush nga Kosova ta ketë thënë publikisht qoftë edhe një fjalë të vetme për punët e detit, pra të ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pse, kosovarët nuk qenkan rritur akoma për punë kaq të holla politike, apo nuk paskan aq ndjeshmëri, sa ta thonë fjalën e tyre për ndonjë çështje të rëndësishme të Shqipërisë? Kanë ndjeshmëri, gjithsesi, madje për habi të Shqipërisë, mund të kenë edhe dije, por te kosovarët është ngulitur bindja se Shqipëria i bën vetë punët e saj. Nëse Shqipëria ka vendosur t’i falë një copë det Greqisë dhe Mero Baze, ta zëmë, nuk e zë në gojë gjenocidin dhe masakrat greke në fshatrat e Tepelenës, ç’punë kam unë të shkoj në Athinë dhe t’u thonë grekëve se ne kosovarët ua kemi falur apo nuk ua kemi falur për punët e shëmtuara që keni bërë? Ndërkohë, analistë nga Tirana (ndonjëri prej tyre me mendje të kthjellët, ndërsa ndonjë tjetër i tillë që Shqipërinë e percepton deri në Kamëz dhe asnjë pëllëmbë më këndej), tani që Serbia i ka punët pisk me Kosovën për shkak të integrimeve dhe për shkak të marrëdhënieve të këqija me shumicën e fqinjëve, ngarendin në Beograd dhe, pasi hedhin në etër broçkulla politike dhe “gjenetike”, të lumtur që kanë arritur ta provokojnë opinionin e Kosovës, kthehen në Tiranë si triumfues të një kauze të dhjerë.

Në të vërtetë, të njëjtën gjë, përpara shqiptarëve të Shqipërisë deri në Beograd ia kanë therrë dhe vazhdojnë t’ia therrin vrapit vetë kosovarët, sekush për nostalgji, sekush për lojalitet ndaj Serbisë, sekush tjetër për ta verifikuar patriotizmin e zvjerdhur e sekush për të përfituar nga fondacionet europiane, por që të gjithë me agjendë të qartë politike: t’i ndihmojnë Serbisë më shumë se vetes së tyre. Opinionit në Kosovë nuk i bëhet vonë pse disa “bastardë kosovarë” ngarendin orë e çast në Beograd, herë legalisht herë ilegalisht, teksa ndihen shumë të lënduar, kur të njëjtën gjë e bëjnë shqiptarët e Shqipërisë. Duket se kosovarët nuk zmbrapsen nga marrëzia e kryehershme, se “kalamajve” të Kosovës nuk ua vë veshin njeri, kurse me Shqipërinë puna qëndron më ndryshe. Edhe pse zhgënjimet kanë qenë të vazhdueshme, shpesh tragjike dhe me pasoja largvajtëse, Kosova nuk heq dorë nga ky inferioritet i shëmtuar dhe nga ky shfajësim historik. Është një paradoks i çuditshëm që kosovarët kanë kërkuar ndonjëherë nga Shqipëria të bëjë për Kosovën atë që ata vetë nuk e kanë bërë për veten e tyre. Ndërkaq, shqiptarët e Shqipërisë, disa syresh, janë kujdesur në vazhdimësi të bëjnë deklarata lënduese për kosovarët, duke kompensuar kështu mungesën e potencialit real as për gjë më të mirë, as për gjë më të keqe për Kosovën.

3.

Në parantezë: Te kosovarët tashmë ekziston një përvojë dhe një kujtesë historike negative, se në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë shpesh herë ka hyrë në mes Serbia dhe se ajo, në raste të këtilla, gjithnjë ka dalë e fituar. Ja një sërë ngjarjesh, që ende rrinë “shtrembër” në raportet e Kosovës me Shqipërinë: Më 1921, në parlamentin e parë shqiptar bëhet një diskutim jashtëzakonisht përmbajtësor për Kosovën, por një vit më vonë Shqipëria dhe Jugosllavia e njohin njëra-tjetrën. Më 1923 ushtria shqiptare hyn në Zonën Neutrale të Junikut dhe e bën të paqenë atë, duke i dhënë goditje të pariparueshme lëvizjes kaçake në Kosovë. Më 1924 Noli vjen në pushtet i ndihmuar edhe nga Partia Përparimtare e Hoxhë Kadrisë, por pas tri ditësh urdhëron shpërbërjen e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Me ndihmën e Kryezinjve kosovarë Ahmet Zogu vë lidhje me Pashiqin dhe kthehet në pushtet në dhjetor të vitit 1924, por më pas vret një pas një dy liderët më të mëdhenj të Kosovës, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën. Komunistët kosovarë, që nga Ali Kelmendi e deri tek i fundit, ndihmuan komunistët e Shqipërisë të bënin partinë dhe t’i vendosnin lidhjet me Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe me Kominternin, por si shpërblesë morën Rezolutën e Bujanit, në të cilën garanci e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ishte edhe Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Vetëm se kjo ushtri nuk shkrepi asnjë plumb për ta realizuar këtë garanci. Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia i shkatërroi grupet nacionaliste dhe antikomuniste kosovare me ndihmën e Shqipërisë, ndër të tjera, edhe duke marrë informacione përmes spiunëve grekë, me të cilët mbante lidhje Koçi Xoxe. Më vonë, gjatë sundimit komunist, disa nga grupet ilegale në Kosovë u dekonspiruan nga zyrtarët e Shqipërisë dhe më pas u dënuan me shumë vite burg, ndërsa pas vitit 1990 kosovarët u përdorën në Shqiëpri herë për të mbrojtur komunizmin e pashpresë, për ta marrë pushtetin me dhunë nga socialistët më 1997, ose për të rikthyer Berishën në pushtet më 1998 etj.

Pikërisht në këtë periudhë, gjatë viteve ’90, episodin më të shëmtuar do të përbëjë sjellja e pahijshme dhe lënduese e Shqipërisë institucionale dhe joinstitucionale në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Kur shpërthyen luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë, qindra shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë u gjenden në portin e Durrësit, nëpër rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, pa strehë dhe pa asnjë përkujdesje. Më pas, kur shpërtheu ofensiva kroate kundër Krajinës së rebeluar dhe ndodhi ikja e rrëmujshme serbe nga ajo hapësirë, disa emra të shquar të jetës publike të Tiranës ofruan shtëpitë e tyre për refugjatët serbë, ndonëse e dinin fare mirë se po këta refugjatë tashmë përdoreshin nga shteti i Serbisë për të rikolonizuar Kosovën. Po në këtë periudhë, kur dhuna serbe në Kosovë kishte marrë përmasat e gjenocidit dhe kishte filluar izolimi ndërkombëtar i Serbisë, pothuajse e tërë kryesia e Aleancës Demokratike, e përbërë nga intelektualë të shquar, ngarendën në Beograd gjoja për vizitë kurtuazie, ndërsa u takuan fshehtas me Milosheviqin. Më 1995-96, kur skemat piramidale kërcënonin me përmbysje të mëdha, ish-presidenti Berisha nxiti Demaçin kundër Rugovës dhe desh ta përdorte çështjen e Kosovës për të shpëtuar pushtetin e vet. Dhe, ndoshta, pika më zhgënjyese e këtyre raporteve nuk ishte takimi kokë më kokë i Nanos me Milosheviqin në Kretë më 1997, në vigjilje të luftës në Kosovë, por deklarata e kryeministrit të Shqipërisë në një forum të madh ndërkombëtar, në Lisbonë më 1998, se “Kosova duhet të ketë për kryeqytet Beogradin”, në kohën kur në Kosovë kishte filluar tashmë lufta e vërtetë. Mbyllje e parantezës.

4.

Si zakonisht, dua të bëj një përfundim kulturor: Në Shqipëri, gjatë 20 viteve të fundit janë botuar shumë autorë nga letërsitë e sllavëve të jugut, nga letërsia serbe, malazeze, boshnjake etj. Disa nga këto botime i kam në bibliotekën time, që kryesisht m’i kanë falur botuesit, si Andriqin, Paviqin, Tomasheviqin, Selimoviqin, Nikolajdisin, Hoxhiqin etj. shumica të përkthyer keq, madje edhe me tituj të gabuar, në disa raste duke u shërbyer me përkthimet e Kosovës. Askush nuk i lexon këta libra në Shqipëri, sepse përkthimi dhe gjuha e tyre është një tmerr (respekt për ndonjë përjashtim). Po, përse pra, askush në Shqipëri nuk e thotë se këta libra nuk i boton njeri për efekt leximi, as për efekt letrar e kulturor, por vetëm për efekte politike? Dhe përse për letërsinë e Kosovës, për gjuhën e saj, është bërë aq shumë zhurmë dhe botimi i saj në Shqipëri konsiderohet gati “mision i pamundur”? Atëherë, si ndodhë që këta autorë serbë, malazezë etj. i gjen me shumicë nëpër libraritë dhe panairet e Tiranës, ndërsa tek asnjë botues i Shqipërisë nuk e gjen dot Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Esad Mekulin? Nuk bëhet fjalë për vlera letrare, assesi, as për kërkesa të lexuesit, por thjeshtë për ta refuzuar Kosovën me krejt gjedhen e saj kulturore. (Express)

Të ngjashme