Kosova dhe Turqia do të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e zhvillimit ekonomik, në veçanti në sektorin e bujqësisë.
Përkrahja e këtij shteti në fushën e bujqësisë do të rritet në vazhdimësi. Kështu u tha sot gjatë takimit që ministrja e MBPZHR-së, Dijana Zivic, pati me Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, si dhe me Sekretarin e Thesarit të ambasadës, Onur Tanay dhe koordinatorin e TİKA –s, Burak Ceran.
Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim të mëtejmë në sektorët që mbulohen nga MBPZHR—ja, me qëllim të fuqizimit dhe zhvillimit të mëtejmë të bujqësisë në gjithë vendin.
Ministrja Zivic ka falënderuar ambasadorin e Turqisë për vizitën dhe me këtë rast e ka njoftuar edhe me programet zhvillimore të ministrisë për fermerët dhe agrobizneset.
Në anën tjetër, ambasadori Çağrı Sakar e falënderoi ministren Zivic për pritjen dhe informimin rreth gjendjes në sektorin e bujqësisë dhe theksoi se do të shohin mundësitë e bashkëpunimit në këtë sektor, me qëllim të realizimit të projekteve të ndryshme bujqësore.