Kosova drejt federalizimit; njohja reciproke as në qendër e as në thembër!

Prishtinë | 30 Jan 2023 | 14:03 | Nga Behxhet Shala

Zajednica nuk kalon, kalon, kalon: Asociacioni i komunave të Serbisë në Kosovë ishte kundërshtuar nga të gjithë ata që donin ta ruanin një grusht toke të mbetur të shqiptarëve dhe të tjerëve e quajtur Kosovë, si pjesë e okupuar nga Serbia dhe ish – Jugosllavia, e ndarë dhunshëm nga Shqipëria. Lufta e fundit nuk ishte as zgjedhje e as zgjidhje për shqiptarët sepse në të morën pjesë një përqindje e vogël ndërkaq që e ashtuquajtura politikë paqësore i shndërroi shqiptarët ( ata që nuk luftuan dhe nuk e përkrahën luftën ) në robër të bindur për ta siguruar një mbijetesë të pajetueshme nën kushte të poshtërimit dhe nënshtrimit të skajshëm. Po të kishte patur një përkrahje konsensuale politike për luftën dhe po ta merrte përgjegjësinë politike dhe ushtarake udhëheqësi i LDK-së, Ibrahim Rugova, lufta do të merrte përmasa shumë më të mëdha sikur që edhe rezultatet do të ishin më të mira dhe më të qëndrueshme. Erdhi Konferenca e Rambujesë në Paris dhe shqiptarët ishin me fat të madh, jo se e nënshkruan këtë Marrëveshje e cila e linte nën Serbi me një Marrëveshje ndërkombëtare por se nuk u nënshkrua nga Sllobodan Millosheviqi që i bërë llogaritë krejtësisht gabimisht. Ky ishte fati ynë që përfituam nga një luftë e jashtëzakonshme e të Madhërishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe nga gabimi amatoresk i Sllobodan Millosheviqit.

Raporti i forcave midis atyre që kontribuan në çlirimin e vendit dhe atyre që përfituan nga çlirimi i vendit, luftën e të cilës e penguan me të gjitha mjetet e mundshme u rikthye pas përfundimit të luftës; partitë penguese i fituan zgjedhjet që nuk ka ndodhur më parë në asnjë vend ku kishte pasur luftë për çlirim. Ecja drejt pavarësisës së mbikëqyrur ( ende kjo pavarësi mbikëqyret përmes Rezolutes 1244 ) kushtëzohej nga ndërkombëtarët që shtronin çështje dhe kushte që shkonin në interes të Serbisë duke e shndërruar në faktor vendimmarrës për çështje që janë 100 për qind përgjegjësi e shtetit, duke ia mbajtur integritetin territorial varur në një teh thike sikur që pengonin shtrirjen e sovranitetit brenda këtij integriteti territorial që e pranuan mbi 100 shtete dhe vende të botës. Realisht, në të gjitha qeveritë e pasluftës, ish – bashkëpunëtorët e Jugosllavisë dhe Serbisë u sistemuan më mirë se më parë duke shtrirë ndikimin në të gjitha fushat, nga ajo më e ndjeshmja – siguria, sistemi gjyqësor dhe prokurorial, mediat elektronike dhe të shkruara, diplomacia dhe në sferat tjera.

Kur Kosova u shpall dhe u njoh si shtet i pavarur dhe sovran, kishte një pavarësi të mbikëqyrur dhe të kushtëzuar që, në planin afatgjatë krijoi dhe legalizoi sistemin paralel të Serbisë në Kosovë përmes instrumentalizimit të serbëve lokalë. Çdo proces në Kosovë kushtëzohej me lëshime sikur që ishte Plani i kriminelit juridik, Marti Ahtisari pas së cilit doli propozimi për një Ahtisari Plus ( kriminel juridik me yll ). U krijuan zonat e mbrojtura, decentralizimi u bë sipas kritereve ekskluzivisht etnike duke krijuar ishuj dhe hapësira vetëm për serbët, Kisha Ortodokse serbe ishte mbi shtetin dhe nuk i nënshtrohej ligjeve të Kosovës. U institucionalizua sistemi paralel në arsim ku mësohej sipas kurikulave të Serbisë, sistemi shëndetësor, ai gjyqësor, u krijua policia paralele, me ndihmën e OSBE –së, Serbia organizonte zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në Kosovës. Serbët, sidomos ata që kishin përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë nuk ndiqeshin apo, së voni po ndiqet niveli më i ulët thuaja simbolikisht ndërsa planifikuesit dhe urdhërdhënësit në bazë të përgjegjësisë komanduese politike, policore dhe ushtarake nuk po ndiqin, madje ishin liruar nën presion politik të Serbisë dhe ndërkombëtarëve.

Krimineli juridik, Marti Ahtisari, përveç shumë lëshimeve që e bëjnë Kosovën shtet gjysmëfunksional, kishte paraparë që të formohej një Asociacion i komunave të Serbisë në Kosovë e që nga LV –ë, në atë kohë quhej Zajednica e që unë e kam pagëzuar me Zajebnica ( Koçeluajtje ) që duket se kam qenë shumë i saktë në emërtim. Kjo Marrëveshje ishte arritur në Bruksel në vitin 2013 nga ata që nuk shihnin më largë dhe nuk kuptonin rreziqet nga ky mekanizëm parashtetëror. Pastaj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Zajebnica përkatësisht kjo Marrëveshje është në kundërshtim, së paku në 22 pika me Kushtetuten e Kosovës, aq herë sa e therrën me thikë Bruti dhe Kasi Cezarin gjatë atentatit ndaj tij. Mirëpo, arsyetimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kishte të theksuar një biseksualitet juridik për faktin se, edhe flitej për shkelje të Kushtetutes së Kosovës, edhe thuhej se duhet të vazhdohet me themelimin e Zajebnices. Natyrsiht se ky vendim ishte shkruar nga ndërkombëtarët sepse këta kanë kapacitet të shkruajnë vendime dhe raporte me dy apo me më shumë kuptime për të kënaqur të gjitha palët ku askush nuk është humbës dhe të gjithë fitojnë, Kosova më së shumti; të trashët e Surles!

Nuk është më vetëm Zajebnica, tash është autonomia për serbët e Veriut dhe shajzen propozimi franko – gjerman: Gjatë luftës në Ukrainë, Kosova ka mbetur thuaja pa bartës të institucioneve, presidentja e Kosovës u bë presidente e Donbasit nga komandon luftën kundër Wagnerit dhe Putinit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bë i deleguar i Zelenskit për Guberninë e Luhanskit kurse me Kosovën po merret kur këtu gostitë dy mashtrues ordienrë, Lajçakun e Sllovakisë dhe Rrahman Morinën e Katalonjës, Borrellin. Tash, numri i mysafirëve është shtuar me amerikianët Chollet që nuk po e lë as frymë të marrë lirisht dhe amerikanin tjetër me mbiemër frikësues dhe të tmerrshëm që po këmbëngulin në formimin urgjent të Zajebnices dhe pranimin e propozimit bulshit franko – gjerman. Fillimisht thonin se plani franko – gjerman parasheh njohje reciproke në qendër ndërsa nga draftet që kanë qarkulluar në opinion del se, jo që nuk ka njohje reciproke në qendër por se nuk ka njohje reciproke as në thembër…të Akilit. Sikur që nuk ka garancione që 5 shtetet mosnjohëse do ta njohin Kosovën apo që Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara ( së paku jo sa Rusia të ketë të drejtën e vetos në Këshill të Sigurimit të KB –së ). Në këtë propozim nuk ka asgjë dhe, nëse drafti që po qarkullon në opinion është i saktë apo përafërsisht i saktë, asnjëra nga 10 pikat nuk është e favorshme për Kosovën, asnjëra nga pikat nuk garanton asgjë dhe të gjitha pikat janë të favorshme për Serbinë. Prandaj edhe Vuçiqi e ka pranuar këtë propozim ndonëse sikur hezitonte ( për të rritur çmimin ) dhe nuk e bëri gabimin që e bëri Millosheviqi me mosnënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë. Kryeministri Kurti thoshte se Marrëveshja është bazë e mirë për bisedime dhe problemi qenka te Serbia që nuk e ka pranuar këtë propozim! Çfarë shkurtpamësie, në vend se të merret me Kosovën e qanë hallin pse Serbia nuk po e pranon këtë propozim!

Kjo Marrëveshje eventuale, pjellë e propozimit franko – gjerman që tash po cilësohet si propozim evropian ndonëse 5 shtete të Kosovës po refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës e që e paska përkrahjen amerikane, do të mund të diskutohej vetëm nëse shtetet inicuese ofrojnë garancione me shkrim se ajo për të cilën pajtohen palët domosdodhmërisht duhet të zbatohen duke e reduktuar kohën e zbatimit në maksimum 3-5 vjet. Njohja reciproke as që do të duhej të diskutohej, as në qendër e as në thembër. Pa njohje nuk ka asgjë që do të dukej serioze dhe që do të garantonte zbatimin e Marrëveshjes. Modeli i dy gjermanive nuk shkonë me asgjë me rastin e Serbisë dhe të Kosovës për faktin se dy gjermanitë kishin 100 % interesa që i bashkojnë, një popull dhunshëm i ndarë, një territor dhunshëm i ndarë, një gjuhë, një besim dhe një religjion, një histori, një kulturë dhe të gjitha të tjerat që i bashkon. Modeli i dy gjermanive do të mund të zbatohej vetëm në rastin midis Shqipërisë dhe Kosovës, si periudhë kalimtare rreth një bashkimi të natyrshëm dhe të pashmangshëm, në të ardhmen.

Antiamerikanizmi apo proamerikanizmi, virtyt apo shprehje e servilizmit: Pjella biologjike dhe politike e rrogëtarëve të Jugosllavisë dhe të Serbisë e që flisnin shqip, që sot janë sistemuar duke bërë shtatë palë qejfe në qeverinë Kurti 2 sikur edhe në qeveritë paraprake, kur donin të na sulmonin politikisht dhe kombëtarisht na cilësonin si nacionalistë dhe irredentistë shqiptarë si dhe prishës të kumbarisë me serbët përkatësisht si rrënues të vëllazërim – bashkimit ( multietnicitetit asimetrik dhe nënshtrues ). Sot, nëse dikush nuk pajtohet me një propozim apo vendim cilësohet si antiamerikan e që është arma më e fuqishme apo më efikase për eliminim politik. Kjo histori zgjatë që nga koha e Rambujesë. është forcuar gjatë bisedimeve në Vjenë, gjatë sundimit të kriminelit juridik, Marti Ahtisari , gjatë votimit për demarkacion të Kufirit me Maqedoninë e Veriut të Kosovsë, Malit të Zi e tash është sforcuar me rastin e Zajebnices dhe propozimit bullshit franko – gjerman. Janë krijuar dy pole kundërshtuese, pushkatuesit dhe të pushkatuarit, pavarësisht bindjeve politike dhe të tjera. Edhe nëse nuk jeni anëtar militant i sektit politik të LV -së , do të cilësoheni si antiamerikan. Çfarë idiotizmi! Kosova me propozimin franko – gjerman, nëse është versioni i saktë ai që po qarkullon në opinion dhe me Zajebnicen , me propozim të komunistëve të FES –it, e ka vetëm një ardhmëri në të ardhmën, të bëhet pjesë e federatës apo konfederatës me Serbinë, asgjë tjetër. Garancionet orale ( gojore ) qoftë edhe më profesionale të mundshme nuk sigurojnë tjetër status për Kosovën. Me të gjitha propozimet e deritashme po bëhet përpjekje që të ruhet një lidhje midis Serbisë dhe Kosovës ku Serbia do të ishte përcaktuese për shumë vendime dhe procese, edhe sa i përket Kosovës. Realisht, as Zajebnicen e as propozimin franko – gjerman, në këtë formë dhe me këtë përmbajtje kurrë nuk do ta nënshkruaja sepse, po ta nënshkruaja nënkupton se do ta nënshkruaja një union në të ardhmen me Serbinë. Opozita dhe mendermethënë shoqëria civile po gabojnë rëndë duke e cilësuar Albin Kurtin si antiamerikan kurse, veten e tyre, pa asnjë kriter njerëzor dhe moral, që ma parë dhe deri në vdekje ( politike ) e cilësojnë si proamerikanë, madje më të bindur se Xhorxh Uashingtoni apo Teodor Ruzvelti. Albin Kurtin, opozita dhe mendermethënë shoqëria civile kanë njëqindmijë mundësi ta luftojnë Albin Kurtin, për lëshime të shumta si mungesa e transparencës ( e ka ngjallur ligjin mafioz të Omertës – mbylljes së gojës ) thuaja për të gjitha proceset e rëndësisë jetike për Kosovën. E ka varfëruar ekonominë e shumicës së familjeve në Kosovë duke ua humbur çdo shpresë për të ardhmen. I ka kapur thuaja të gjitha institucionet duke e legalizuar dhe shndërruar në art punësimet në baza familjare dhe partiake. E ka një qeveri ku gara bëhet, jo për ministrin më të mirë por se cili është më i keq në mesin e të këqinjve. Si qeveri e majtë e deklaruar por jo edhe nga mënyra e jetesës, ka rritur taksat deri në 400 për qind nga një ministër, diferencues i UÇK-së për të ofruar lëmsoshë në formë të faljes prej 100 eurosh. Pensionistët i ka prurë në situatë që e lakmojnë vdekjen, si zëvendësim të një jete të pajetueshme dhe poshtëruese. Skamnorët i ka shndërruar në lypësarë dhe frekuentues të kantave për mbeturina. Nuk po gjen asnjë ekspert të fushës prandaj po detyrohet të reciklojë mbetjet mortore politike si puna e ministrit të shëndetësisë. E ka shndërruar diplomacinë në një buqkurish që udhëhiqet nga një e padijshme dhe e mbushur plotë urrejtje ndaj UÇK-së, ish- të burgosurve politikë dhe Bacës Adem Demaçi. Dhe shumë e shumë të tjera me të cilat nuk po merret opozita. Madje, në një vend që ka vlera kombëtare dhe respekt për ata që kontribuan për këtë liri, ashtu si është, pas arsyetimit kriminal të Albin Kurtit për Oliver Ivanoviqin, po të ishte në Kosovë, do të detyrohej të largohej nga Kosova kurse po të ishte jashtë Kosovës, nuk do të lejohej të kthehej në Kosovë. E çka ndodhi pas kësaj? Të bindurit ndaj Mesisë së tyre, jo që nuk e gjykuan arsyetimin kriminal të Albin Kurtit që e fali kriminelin Oliver Ivanoviq, por shkuan përtej këtij kriminalizimi duke deklaruar se Vuçiqi e ka vrarë Ivanoviqin sepse nuk i është bindur thuaja se Ivanoviqi është dënuar për këtë e jo për vrasjen e, së paku 40 shqiptarëve. Të njëjtët, përkundër brohoritjeve se Zajebnica nuk kalon, pasi të kalojë, do të gjejnë arsyetim duke sulmuar të tjerët. Njëjtë do të veprojnë edhe për propozimin franko – gjerman. Cilësimi i Albin Kurtit si antiamerikan nuk e dëmton aspak politikisht ate sikur që nuk e forcon aspak opoziten.

Nëse Albin Kurti , në momentin e fundit bëhet proamerikan duke pranuar çdo gjë e që lehtësisht mund të ndodhë edhe opozita do të pranojë çdo gjë, pa asnjë dyshim. Ndërkaq, opozita nuk ka asnjë detyrim t’i bëjë votat për Zajebnicën apo propozimin franko – gjerman e as Kodin Civil, nëse mendojnë se janë të dëmshme për Kosovën. Në takimin në Amabasadën amerikane për Zajebnicën janë ftuar politikanët që paraprakisht kanë pranuar këtë që Albin Kurti po e refuzon (nëse e refuzon) si dhe mendermethënë shoqëria civile që nuk ka asnjë ndikim dhe që pjesa e madhe e tyre nuk e kanë lëvizur asnjë gur për Kosovën dhe lirinë e saj. Vetëm kanë përfituar dhe po pëprfitojnë nga kjo liri. Këta, pa asnjë dyshim do ta pranojnë çdo propozim, nga Brukseli, Washingtoni, Beogradi apo Nishi, si propozim gjeografik, propozim politik dhe si bindje, të trashëguar dhe të tashme. Këta nuk përbëjnë asnjë zgjidhje dhe Kosova për një numër të tyre ka kuptimin e xhirollogarisë, asgjë më shumë! Vendimet politike janë përgjegjësi e institucioneve përkatëse dhe të qeverisë. Sot, asnjë vendim nuk mund të merret pa kryeministrin Kurti shkaku i votave që i ka. Albin Kurti nuk qenka në listën e të ftuarve të Ambasadës amerikane, duket as opossumi politik; Besnik Bislimi ndërkaq janë ftuar Emi Redzepi, zëvendëskryeministre, Nenad Rashiqi, minister i cilësuar si serb i Kurtit dhe ajo që me këmbëngulje e luan rolin e Ministres për Punë të Jashtme dhe Baushtellë, Donikë Katran (Shvarc) Gërvalla që në çdo paraqitje shkruan epitaf për Zajebnicën, si përkujtim për vdekjen e saj. Rashiqin nuk e pyet askush, as shitësi në trafikën në Laplje Sello sikur as Emi Redzepin. Ftesa për kumtuesen e vdekjes së Zajebnices është një kërcënim ndaj Albin Kurtit për të shkaktuar çarje midis koalicionit të dy partive që kanë marrë vota thuaja të njëjta, LV –së me Albin kurtin dhe lusjtësin me gogla që vonë e mora vesh se quhet lojë e tenisit, Glauk Konjufca dhe Listes S’GUXO. Kjo çarje eventuale, për Kosovën do ta kishte efektin e Titanikut, do të mbijetonin vetëm ata që kanë pasur fatin të largohen nga Kosova dhe ata që ndërkohë, duke mos zgjedhur mjete dhe rrugë, duan të largohen nga Kosova. Për këtë edhe nuk ka reagim të fuqishëm apo aktivizem qytetarë sepse askush nuk e lidhë më fatin për Kosovën, përveç politikanëve dhe varreve!

Në Kosovë nuk ka zgjedhje të parakohshme, Albin Kurti, për së gjalli nuk dorëhiqet dhe pa Albinin nuk mund të realizohet asnjë marrëveshje, as Zajebnica e as propozimi franko – gjerman. Po Albini është djalë i mirë, i kthyeshëm dhe nuk mund ta paramendojë jetën pa Mirosllav Lajçakun, rrencin dhe mashtruesin nga Sllovakia dhe pa gjyshin Josep Borrell apo Rrahman Morinën e Katalonjës. Prandaj, hiqeni nga rendi i dites antiamerikanizmin e Albin Kurtit!

Të ngjashme