Partia Socialdemokrate beson që qeveria Kurti duhet të shkarkohet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si mënyra e vetme për të prodhuar një qeveri të re legjitime. Kështu u tha në mbledhjen e kryesisë së kësaj pasdite ku u diskutua mbi situatën e krijuar politike në Kosovë.
“Ashtu siç Kosova nuk mund të ecë përpara me qeverisje të mentalitetit të vjetër, njësoj, nuk mund të ketë përparim me një qeveri të mendësisë bolshevike e populiste. Qeveria Kurti erdhi dhe po shkon pa asnjë program serioz, të majtë e progresiv, që adreson problemet ekonomike e sociale të Republikës së Kosovës dhe që e zgjidhë përfundimisht problemin e pazgjidhur me Serbinë.”, është bërë e ditur në një komunikatë të PSD-së.
Kjo qeveri sipas tyre, nuk pati asnjë plan progresiv për ekonominë.
“I ashtuquajturi program qeverisës, në 45 faqet e tij nuk përmend pothuajse fare fjalën barazi, e nuk flet as për rishpërndarje. Në vend të kësaj, programi dominohet nga termat si menaxhimi, efiçienca, kursimet, racionalizimi, e të tjera si këto. Vlerësuar nga programi, qytetarët nuk e kanë humbur një qeverisje transformuese.”, ka vazhduar komunikata.
Ata kanë vlerësuar se Qeveria Kurti ishte qeveri e spektaklit.
“Në vend të saj, patëm një qeveri të spektaklit e PR-it; një qeveri që synimin kryesor e kishte mveshjen me autoritet absolut të liderit të saj dhe që në funksion të këtij synimi rrezikoi pozitën e Kosovës në raport ndërkombëtar dhe demokracinë e vendit në aspektin e brendshëm. Qeveria Kurti nuk pati asnjë plan alternativ për negociatat. Në fakt VV-LDK qysh nga fushata parazgjedhore kanë qenë të prirura nga një mashtrim oportunist. Ato u thanë njerëzve se dialogu me Serbinë është çështje periferike për të cilën as nuk preferonin të flisnin. Si rrjedhim, gjithë çfarë deshti kjo qeveri ishte ndërrimi i figurave udhëheqëse të këtij procesi.”, thuhet në komunikatë.
Ata vlerësojnë se , Kosovës nuk i duhet qeveri e re që nuk ka legjitmitet. Në situatën e re politike, përgjigjen duhet ta kërkojmë tek qytetarët. Prandaj duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Në momentin e parë që ta kemi kaluar koronavirusin. Kësaj here, askush s’mund të thotë se dialogu nuk ekziston. Edhe një herë, ai duhet përfunduar, sepse kështu është mirë për ne, jo sepse duan amerikanët.