Propozimin joformal të kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor, e kanë kundërshtuar liderët e institucioneve në Kosovë, rreth dy javë pas raportimeve për një gjë të tillë.
Të rrezikshme për rajonin i ka konsideruar këto diskutime ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Gërvalla ka thënë se pavarësisht nga kush janë ngritur propozime të tilla, ato nuk janë opsion për Kosovën dhe ka bërë thirrje për kujdes.
“Qëndrimi është shumë i qartë që e shohim të rrezikshëm dhe do të duhej të gjitha palët të ishin shumë të kujdesshme, sepse në këtë formë cyten konflikte të reja të cilat për rajonin tonë janë krejtësisht të pa nevojshme”, ka thënë Gërvalla.
Këto komente kryediplomatja kosovare i ka bërë pas takimit që kishte me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmanin.
Duke folur për dokumentin e publikuar, Bujar Osmani ka thënë se autorësia e tij nuk duhet të lidhet me Slloveninë.
“Janë disa modele që deri tani janë treguar të suksesshme dhe unë mendoj që Marrëveshja e Ohrit, bashkësia e Kosovës, perspektiva euro-atlantike e rajonit janë treguar si modele të suksesshme në rajon dhe mendojmë që alternativa e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s më tutje në rajon dhe integrimi i tërë rajonit në bashkimin evropian”, është shprehur Osmani.
Ministri Osmani më tutje ka thënë se mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se qëllimi final i këtij dialogu duhet të jetë njohja mes dy shteteve.
Pos takimit me ministren e Jashtme, Bujar Osmani është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e kryeministri Albin Kurti.
Pas takimit, asnjëri nga liderët shtetërorë nuk janë deklaruar për media. Por, në komunikatën nga Presidenca, thuhet se Vjosa Osmani ka kundërshtuar po ashtu idenë për ndryshim kufijsh./KOHA