Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, në fillim të vitit të ardhshëm do të luajë miqësore me Suedinë. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), të hënën, ka konfirmuar miqësoren që do të zhvillohet më 12 janar në Doha të Katarit.
Kjo ndeshje do të shërbejë si test i fundit për Kosovën që gjatë muajit mars do të luajë në plejofin e Ligës D të Kombeve, ku do të kërkojë biletën për Evropianin 2020, shkruan sot Koha Ditore.
Përfaqësuesja e Kosovës për këtë miqësore pritet të përbëhet edhe nga disa prej futbollistëve të Superligës. Skuadra e Ballkanit ka konfirmuar ftesat për tre lojtarët e sulmit: Blend Baftiu, Jetmir Topalli e Arbër Hoxha.
Edhe Përfaqësuesja e Suedisë do të paraqitet me lojtarë që synojnë ekipin A, jo me ata që siguruan kualifikimin në Euro2020.
Suedia do të ketë edhe një ndeshje para asaj me Kosovën. Më 9 janar do të ndeshet po në Doha me Moldavinë.