“Kosova e papërgatitur për Samitin e Triestes”

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 16:20 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nesër në Trieste të Italisë do të mbahet samiti i Ballkanit Perëndimor që do të shërbejë për të punuar së bashku në forcimin e mundësive konkrete, duke nxitur bashkëpunimin rajonal për një rrugë më të shpejtë të shteteve drejt Bashkimit Evropian.

Diskutimet do të fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: Lidhshmëria, integrimi rajonal ekonomik, zhvillimi i sektorit privat dhe kontaktet mes shoqërive.

Nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ky samit po konsiderohet i një rëndësie të pakontestueshme strategjike e politike, një mundësi enorme për avancim ekonomik.

Ai ka thënë për Ekonomia Online se edhe përkundër që shtetet tjera kanë bërë përgatitje për një ngjarje të tillë, në Kosovë nuk i është kushtuar rëndësia që e meriton ky samit, pasi që sipas tij, mungon një komunikim ndërinstitucional.

“Me të thënë të drejtën nuk kemi arsye të jemi të lumtur dhe të kënaqur me komunikimin ndërinstitucional”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai tha se Oda Ekonomike e Kosovës i ka të qarta kërkesat që do të paraqes në Samitin e Triestes. Nëse këto kërkesa nuk fuqizohen me argument politik, ai ka thënë se kjo do të qojë në zbehje të  kërkesave të komunitetit të biznesit.

“Ne si Odë Ekonomike kemi qenë pjesë e Samitit të Berlinit në Vjenë, në Paris dhe si Odë ndoshta e kemi një formë të lidershipit të organizimit të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Sa për informatë që nga nesër do të funksionojë Forumi Investiv i Odave Ekonomike, ku do ta ketë një sekretariat permanent të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane, me të vetmin qëllim që ekonomikisht të jemi të barabartë dhe që politikisht të jemi agresiv në lobim me fakte që përfundimisht të hapet një perspektiv e re për komunitetin e biznesit”, ka thënë kreu i Odës Ekonomike.

“Mirëpo e tërë kjo që ka bërë Oda nuk e ka fuqinë e vet, sepse në qoftë se nuk ka mbështetje institucionale dhe kur kërkesat e komunitetit të biznesit të fuqizohen me argument në nivel politik, besoj që do të ketë një zbehje. Unë dua të besoj që ka ardhur koha që ekonomisë t’i jepet prioritet dhe politika të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik, në proces të integrimit dhe të jetë bartëse e jo pengesë e këtyre proceseve”, ka theksuar Gërxhaliu, raporton EO.

Në lidhje me integrimin ekonomik rajonal, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të bien dakord mbi një plan veprimi për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale me qëllim të rritjes së tërheqjes të rajonit për të rritur investimet dhe për të gjeneruar vende pune.

Pjesëmarrëse në Samitin e Triestës do të jenë më se 700 biznese nga vendet e rajonit dhe më gjerë në funksionim të avancimit të partneritetit ndërmjet tyre .

Gjatë Samitit, Komisioni Evropian do të prezantojë fonde të reja të konsiderueshme si pjesë e “pakos vjetore të lidhshmërisë”. Për më tepër, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë Traktatin e Komunitetit të Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjeteve të transportit në rajon dhe me BE-në dhe do të udhëheqë masat reformuese në sektorin e transportit.

Agjenda e Samitit të Triestes kliko KËTU

Të ngjashme