Kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar të rëndësishme arritjen e marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Sipas tij, projekti do të kushtoj mbi 1 miliard euro, kurse ndërtimi do të fillojë vitin e ardhshëm e do të përfundoj në vitin 2023, raporton Ekonomia Online.
Ai pati fjalë të mira për kompaninë “Contur Global” që do të merret me ndërtimin e Termocentrali, duke e konsideruar lider botëror.
“E kemi një lajm shumë të mirë ndër më të mirin e mundshëm që kemi mund të imagjinojmë. Kemi arritur pra marrëveshje me një investitor shumë serioz për investimet në energji. Investitori është kompani Contur Global është prej Amerike me lidhje të forta në Evropë”.
“Investimi është 1 miliard e 300 milionë euro, është krejt investim i huaj, i pastër asnjë cent nuk e jep Kosova edhe fillon ndërtimin vitin që vjen dhe përmbyllet në vitin 2023″
Këto komente ai i bëri në konferencën e organizuar nga ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), me temën “Për bujqësi të qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë”.
Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW.
Me komponentë e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës.
Termocentrali i ri do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.