Një përballje e rrallë ka ndodhur në Lignano të Italisë, ku po mbahet kampionati mesdhetar për grupmoshën U-15 në pingpong.
Kosova merr pjesë në këtë kampionat, ndërsa është në grup me Serbinë, Italinë e Turqinë.
Të hënën është përballur me Serbinë, ndërsa ka humbur bindshëm, 4:0. Këtë e ka bërë të ditur Federata e Pingpongut e Kosovës.
Ndodh shumë rrallë që të takohen sportistët e Kosovës me ata të Serbisë, në nivel përfaqësuesesh.
Ka pasur shumë raste kur sportistët serbë kanë hequr dorë nga gara kur është dashur të takohen me Kosovën.
“Ndeshja është luajtur normalisht, si kundër çdo shteti anëtar të Unionit Mesdhetar të Pingpongut, dhe flamujt shtetërorë të të dy shteteve janë të vendosur në sallë. Ndeshja është mbyllur me rezultat 4:0, me një set të fituar nga Blendi Hajdari. Para ndeshjes kërkesa e kryetarit të federatës sonë, Nehat Çitaku, për një fotografi të përbashkët është refuzuar nga trajneri serb me arsyetim se u është thënë që të refuzojnë një gjë të tillë, sepse është qëndrim zyrtar që të mos fotografohen. Gjithashtu është vërejtur që gjatë ndeshjes lojtarët serbë janë munduar që të fshehin mbishkrimin ‘Serbia’, duke vendosur numrin mbi emër, ndërsa lojtarët në bankë kanë vendosur kapelën mbrapa që të mos shihet emri”, ka bërë të ditur FPPK-ja për gazetën.
Federata serbe e pingpongut nuk ka lëshuar ndonjë informatë për këtë garë. Kosovën në kampionatin mesdhetar po e përfaqësojnë Jerina Rexhepi, Shega Hashani, Blendi Hajdari e Sylejman Çerkini.