Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj gjatë vizitës së saj zyrtare në Da Nang të Vietnamit ka takuar ministrin e Resurseve Natyrore dhe Mjedisit të këtij shteti, Tran Hong Ha, me të cilin kanë diskutuar mundësitë dhe modalitetet e bashkëpunimit mes dy ministrive përkatëse në çështjet më të rëndësishme mjedisore.
Në këtë takim dy homologët biseduan rreth problemeve dhe sfidave globale e lokale mjedisore dhe mundësitë e shkëmbimit të përvojave nga fusha e mjedisit.
Në emër të Republikës së Kosovës, Reshitaj shprehu falënderimet e përzemërta për ftesën dhe mikpritjen që autoritetet vietnameze i bënë delegacionit kosovar gjatë Asamblesë së 6-të të Fondit Global Mjedisor (GEF). Më tutje, Reshitaj dhe homologu i saj vietnamez u dakorduan për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, si inicim fillestar i mundësisë për njohjen e Republikës së Kosovës nga shteti i Vietnamit.
Me këtë rast Reshitaj deklaroi se pjesëmarrja shtetërore e Kosovës në Asamblenë e GEF-it është një sukses për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të ardhmen e Kosovës.
Në fund, ministri i Mjedisit të Vietnamit, Hong Ha, falënderoi Reshitajn për prezencën dhe kontributin e dhënë në Asamble, duke u zotuar që do të përkrahë rrugën e Kosovës për qasje në fondet e GEF-it, pasi që sipas tij kështu bashkërisht mund t’i tejkalojmë sfidat globale mjedisore.
Vlen të theksohet se gjatë pjesëmarrjes së saj në asamblenë e 6-të të GEF-it Reshitaj po realizon takime të shumta me homolog, përfaqësues shtetesh e organizata ndërkombëtare, në të cilat takime po lobon për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në këta mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar.