Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se deficiti në llogarinë e mallrave arriti vlerën prej 1.26 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore prej 3.3 për qind.
“Përderisa në vitin 2018 ishte shënuar rënie e eksportit të mallrave dhe përshpejtim i rritjes së importit, në vitin 2019 është duke u shënuar rritje e eksportit të mallrave dhe rritje më e ngadalësuar e importit. Kjo ka ndikuar që shkalla e mbulueshmërisë së importeve me eksporte të ketë një përmirësim nga 10.8 përqind sa ishte në shtator 2018 në 11.3 përqind në shtator 2019”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së.
Sipas BQK-së eksportit i mallrave deri në shtator 2019 ka shënuar vlerën prej 288.8 milionë euro, që është për 9.0 përqind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
“Rritja e eksportit të mallrave ishte më e theksuar tek metalet bazë, produktet e plastikës dhe gomës si dhe makineritë dhe pajisjet elektrike”, ka njoftuar BQK, raporton RTKlive.
Në anën tjetër, rënie shënoj eksporti i produkteve minerale, eksporti i lëkurës dhe artikujve të lëkurës, eksporti i perimeve, etj.
Vlera e importit të mallrave deri në shtator 2019 ishte 2.5 miliardë euro, që është për 3.6 përqind më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2018. Rritje më e lartë u shënua tek importi i mjeteve të transportit, produkteve minerale, tekstilit dhe artikujve të tekstilit si dhe produktet e plastikës dhe gomës, etj.