Ngritja e kapaciteteve teknike dhe tejkalimi i pengesave nga plani politik, shtrohen si nevoja të domosdoshme që Kosova të fitojë të drejtën për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore mbi territorin e saj.
Përveç përgatitjes së kuadrove dhe blerjes së pajisjeve që nevojiten për të kontrolluar këtë hapësirë ajrore, Kosova duhet të sigurojë edhe ulësen apo anëtarësimin e saj në Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës nën nivelin e fluturimit 205- deri në 6205 metra menaxhohet nga Agjencia i Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë ajrore mbi nivelin e fluturimit 205 – deri në 6205 metra, është rihapur për fluturimet civile më 3 prill të vitit 2014 dhe është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.
HungaroControl-i, fillimisht kishte marrëveshje pesëvjeçare për kontroll të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës dhe meqë Kosova ndërkohë nuk kishte arritur t’i plotësonte kriteret, në marrëveshje me NATO-n, i është zgjatur marrëveshja për një afat të pacaktuar.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se në korrik të këtij viti, ekspertët teknikë civilë dhe ushtarakë janë takuar në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel, brenda kornizës së Takimeve për Normalizim e Aviacionit të Ballkanit (BANM), ku kanë shprehur pikëpamjet për normalizimin e aviacionit në rajonin e Ballkanit.
“Korniza e Takimeve për Normalizimin e Aviacionit të Ballkanit e udhëhequr nga NATO, është krijuar për të shprehur pikëpamjet rreth marrëveshjeve për normalizimin e hapësirës ajrore në rajonin e Ballkanit nga të gjitha palët ndërkombëtare dhe rajonale. Në këtë forum, ekspertët adresojnë çështjet teknike që duhen për të rihapur hapësirën ajrore të Kosovës për fluturimet komerciale”, tha zyrtari i NATO-s.
Nga Aleanca Veriatlantike nuk kanë dhënë detaje tjera se kur Kosova mund të menaxhojë vetë me hapësirën e lartë ajrore.
Që nga viti 2014, kur HunagroControl-i pati marrë nën menaxhim hapësirën e lartë ajrore të Kosovës, autoritetet vendore patën theksuar se pas periudhës pesëvjeçare do ta marrin nën menaxhim këtë hapësirë, por kjo nuk ka ndodhur.
Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Eset Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova aktualisht nuk ka ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore, por që sipas tij, planet janë që kjo të ndodhë në të ardhmen.
“Marrëveshja mes NATO-s dhe HungaroControl për menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës është vazhduar pa afat, por ajo mund të ndërpritet në çdo kohë, kur të krijohen kushtet politike apo kur të realizohen përgatitjet apo gatishmëria për marrjen e këtyre përgjegjësive nga autoritetet vendore që nuk ka të bëjë vetëm me përgatitjet teknike apo kadrovike, por edhe me disa kushte të natyrës politike”, tha Berisha.
Berisha thotë se janë duke u përgatitur në aspektin teknik dhe të burimeve njerëzore që të marrim përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës.
“Në vitin e kaluar ka pasur rekrutim të kontrollorëve të rinj të trafikut ajrorë. Ata tani janë duke i ndjekur trajnimet bazë, por nevojitet kohë deri në licencimin e tyre nga autoriteti i Aviacionit Civil për të ofruar shërbimet e kontrollorit të trafikut ajror. Përveç pjesës kadrovike nevojitet edhe blerja e pajisjeve të nevojshme, siç është blerja e radarit dhe një programi për menaxhimin e fluturimeve, i cili është në plan të prokurimit nga Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror”, tha Berisha.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, tha për Radion Evropa e Lirë se qysh në nënshkrimin e kontratës në vitin 2014, midis NATO-s dhe HungaroControl-it, ishte paraparë një nen që nëse dy palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje nuk kanë ndonjë paqartësi, me automatizëm marrëveshja zgjatet për afat të pacaktuar.
“Afatet e pacaktuara kanë dy elemente. Elementi i parë është anëtarësimi i Kosovës në Organizata Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, që periudha për të stopuar dhe për të marrë menaxhimin nga autoritete vendore do të jetë shumë më e lehtë për NATO dhe autoritetet hungareze. Sa kemi bërë ne përgatitje dhe sa jemi të gatshëm, të gjitha përgatitjet teknike njerëzore mund të bëhen, por pa ndihmën e NATO-s dhe HungaroControl-it si autoritet që menaxhon hapësirën e lartë ajrore, nuk mund të bëhet pa qenë faza e tranzicionit bashkërisht me ta. A është duke u përgatitur ajo periudhë, njëherë përnjëherë nuk është duke u përgatitur, pasi që Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare e Aviacionit Civil”, thotë Nuredini.
Kosova për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, shton Nuredini, duhet të aplikojë për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, proces ky i cili sipas tij, i takon Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme për të shikuar procesin e anëtarësimit të Kosovë në këtë organizatë, mirëpo nga kjo ministri nuk është dhënë ndonjë përgjigje.
Ali Aliu, ish-drejtor i departamentit të Aviacionit në Ministrinë e Infrastrukturës, njëherësh piloti i parë kosovar që ka drejtuar aeroplanët reaktivë dhe supersonikë në ish-Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrja e menaxhimit të hapësirës së lartë ajrore nga autoritetet e vendit, është neglizhuar.
“Ka nevojë për investime të shumta. Janë ligjërata e seminare për ngritjen e kuadrove. Sigurisht që nuk janë në nivel sa duhet, pasi që po të ishin nuk ka asnjë arsye të mos merret kontrolli i hapësirës së lartë ajrore, pasi që ajo ka leverdi për vendin dhe duhet shumë shpjet të merret. Shumë fluturime ka në territorin tonë . Mendoj se ka pasur neglizhencë në këtë çështje pasi që janë duke ju dhënë rëndësi të madhe gjërave që nuk kanë rëndësi për shtetin dhe jo atyre që kanë rëndësi, është në pyetje përfitimi shumë i madh për shtetin (marrja në menaxhim e hapësirës ajrore)”, thotë Aliu.
Një aspekt tjetër i marrjes së kontrollit mbi aviacionin civil apo kontrollin e hapësirës së lartë ajrore është ai financiar.
Nëse Kosova do të kishte kontroll mbi hapësirën e lartë ajrore, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini, do të përfitonte miliona euro si dhe do të gjeneronte vende të reja të punës.
“Varësisht prej fluturakeve që zgjedhin si territorin e Kosovës për të kaluar, por në baza të shifrave që i kemi për vitet paraprake nga HungaroControl-i, janë përafërsisht në vit 4.5 deri në 6.5 milionë euro të hyra që gjenerohen. Pra, Kosova me marrjen e hapësirës së lartë ajrore nën menaxhim do të fitonte, po ashtu do të ulet edhe nivelin e papunësisë, në një punësim deri në 50 persona që kërkohen për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore”, thotë Nuredini.
Ndryshe, NATO vazhdon të jetë në një proces të normalizimit të hapësirës ajrore të Kosovës.
Normalizimi i plotë i hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, ndër të tjera përfshinë edhe hapjen e korridoreve ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Autoritetit të Aviacionit edhe pse zyrtarët e NATO-s ishin të përkushtuar të gjejnë zgjidhjen më të mirë teknike dhe ligjore për të rritur numrin e korridoreve ajrore në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, ka pasur hezitim të palës serbe që të bëjë çfarëdo marrëveshje me palën kosovare.