Bizneset prodhuese dhe tregtare në Kosovë thonë të kenë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësimin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina pas vendosjes së tarifës doganore.
Vendet si Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Kroacia, Turqia dhe Italia janë disa nga shtetet të cilat, sipas bizneseve, po shikohen si opsione për të zëvendësuar produktet finale si dhe lëndën e parë për prodhim që më herët janë importuar nga Serbia.
Qeveria e Kosovës më 21 nëntor vendosi që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë.
Mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që të hiqet taksa, duke e konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë nga bizneset prodhuese tanimë janë duke punuar në gjetjen e furnitorëve në vendet tjera për të zëvendësuar lëndën e parë të cilën e kishin importuar nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës për të cilat ka taksë 100 për qind mund të zëvendësohen me prodhime vendor, ka prodhim të mjaftueshëm të kategorive të ndryshme të produkteve që mund të zëvendësohen për shembull: qumështi, vaji, biskotat mund të zëvendësohen me produktet vendor. Ka një pjesë të lëndës së parë që duhet të gjendet ndonjë alternativë për shkak se nuk prodhohet në Kosovë dhe shtetet të cilat janë duke u studiuar nga bizneset janë: Maqedonia, Bullgaria, Kroacia, Italia dhe Shqipëria”, thekson Panxha.
Kompanitë prodhuese, shton Panxha, duhet të bëjnë një zgjidhje shumë të shpejtë për të zëvendësuar lëndën e parë, përndryshe mund të ndalet prodhimi. Ai tregon se shumica e prodhuesve në Kosovë kanë një listë të furnitorëve të cilën e shfrytëzojnë tani pas taksës 100 për qind.Një tjetër sektor që preket nga taksa 100 për qind është ndërtimtaria. Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se lehtë mund të zëvendësohen të gjitha produktet të cilat janë importuar nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Sot i kemi të gjitha kufijtë e hapur anë e këndë Evropës dhe botës ku mund të importojmë produktet në këtë sektor e të cilat janë edhe me cilësore. Si alternativë i zëvendësimit të këtyre produkteve janë Maqedonia, Bullgaria, Shqipëria e shumë vende të tjera. Asgjë nuk do të ndryshojë. Vetëm transporti mund të kushtojë më shtrenjtë”, thekson ai.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, ditë më parë kishte bërë të ditur se bizneset prodhuese, por edhe tregtare në Kosovë, kanë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësimin e produkteve apo lëndës së parë në shtetet tjera.
Rukiqi ka theksuar se ia ka përcjell kryetarit të Odës Ekonomike në Turqi një listë për disa mallra- lëndë të parë që nuk prodhohet në Kosovë, në mënyrë që të bëhen furnizimet më të shpejta që mos të ketë mungesa në treg.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës deri më tani nuk vërehet se është bërë ndonjë import më i madh nga ndonjë vend tjetër.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropë e Lirë, thotë se importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë shënuar rënie, por se nuk vërehet ndonjë ngritje e importit nga ndonjë vend tjetër.
Sipas tij, para taksës me Serbinë brenda një ditë janë importuara mallra në vlerë prej 1.2 milionë euro, derisa tani për 14 ditë importi nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka rënë në 140 mijë euro.
“Trendi i importit ka vazhduar të jetë i njëjtë, por në një rënie nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina të cilat kanë taksë 100 për qind. Është herët edhe bizneset të kenë kontrata të reja apo rrugë tjera të furnizimit, Kjo analizë mund të bëhet pas një periudhe të caktuar”, thotë Stavileci.
Ndryshe, vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e takës doganore në vlerën 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimor në Kosovë. Nga produktet e domosdoshme ushqimore të shtrenjtuara janë, mielli, buka, sheqeri dhe vaji.