170 milionë euro mund t’i humbasë Kosova për shkak të mungesës së profesionalizmit gjatë lidhjes së kontratave publike, jotransparencës lidhur me to dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, raporton KTV.
Kontrata për autostradën për Shkup, ajo e pasaportave biometrike, kontrata e Dardafonit, AXOS-i, si dhe procesi i privatizimit të Brezovicës ishin 5 tema diskutimi me titullin “Kontratat e dëmshme të Kosovës”, të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.
Një studim i realizuar nga instituti Riinvest flet për mungesën e profesionalizimit dhe transparencës gjatë përpilimit të këtyre kontratave. E, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Vladrin Lluka, tha se kanë qenë në dijeni se kishin nënshkruar kontrata pa e ditur nëse do të përmbusheshin. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, duke folur për dëmshpërblimin prej 53 milionë eurosh që qeveria ia pagoi Bechtel&Enkës, tha se është pasojë e ndërrimit të qeverive dhe menaxhimit joserioz të kontratave. Korab Sejdiu tha se në kontratat publike nuk duhet të kenë konfidencialitet. Qeveria e Kosovës është duke u përballur me konteste gjyqësore, të cilat rrjedhin si pasojë e formulimit dhe zbatimit joadekuat të kontratave publike.