Përmes sportit të xhudos, Kosova i fitoi tri medalje në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”, të cilat u mbajtën nga 21 deri më 30 qershor në Bjellorusi
Kosova i ka mbyllur me plot sukses Lojërat Evropiane, të cilat u mbajtën nga 21 deri më 30 qershor në Bjellorusi.
Vendi ynë u përfaqësua me 12 garues në “Minsk 2019” në sportet si xhudoja, karateja, boksi, pingpongu e shigjetaria.
Edhe këtë herë, Kosovës ia zbardhi fytyrën xhudoja.
Ky sport luftarak ia solli vendit tonë tri medalje, me të cilat e mbylli këtë garë prestigjioze.
Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 52 kilogramë, Nora Gjakova të argjendtën në 57 kilogramë dhe Loriana Kuka të bronztën në 78 kilogramë.
Sportistët tjerë bënë gara relativisht të mira, por nuk ia dolën të arrinin deri tek medalja.
Kosova përfundoi në pozitën e 34-t në Lojërat Evropiane.
Kjo ishte hera e dytë që Kosova mori pjesë në këtë eveniment, derisa në debutimin e saj në “Baku 2015”, Nora Gjakova ia kishte sjell medaljen e parë dhe të vetme, raporton Express.