Përfaqësuesja e Kosovës do t’ju kthehet sot stërvitjeve pas fitores së mbrëmshme ndaj Gjibraltarit. “Dardanët” po përgatiten për ndeshjen e rëndësishme të së hënës ndaj Malit të Zi, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020
Përfaqësuesja e Kosovës e ka lënë prapa krahëve fitoren e mbrëmshme ndaj Gjibraltarin, në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanët” tash janë fokusuar totalisht tek ndeshja e rëndësishme ndaj Malit të Zi, e cila do të zhvillohet të hënën mbrëma, në kuadër të fazës kualifikuese të Euro 2020.
Djelmoshat e Bernard Challandes do të stërvitin sot duke filluar nga ora 18:00 në stadiumin e kryeqytetit.
Ata do të ushtrojnë edhe të shtunën, ndërsa të dielën, Kosova dhe Mali i Zi do të mbajnë konferenca për shtyp, ndërkohë që do të kenë edhe seanca të lehta stërvitore.
Konferenca e Kosovës do të fillojë në orën 17:30, kurse stërvitja në 19:00.
E konferenca e malazezëve do të nisë në orën 19:30, kurse stërvitja do të fillojë në orën 20:00 të dielën.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të zhvillohet të hënën mbrëma duke filluar nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kosova aktualisht ka 8 pikë në Grupin A dhe e zë vendin e tretë, një pikë më pak se Republika Çeke, e cila është e dyta. /Gazeta Express/