Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se vlera e importit të mallrave në TM4 2018 ishte 886.8 milionë euro, që është për 6.8 për qind më e lartë krahasuar me TM4 2017.
“Rritje më e lartë u shënua tek importi i produkteve minerale, tekstili dhe artikujt e tekstilit, metalet bazë, makineritë dhe pajisjet mekanike. Bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi vlerën prej 71.1 milionë euro në TM4 2018, një rënie prej 4.9 për qind krahasuar me TM4 2017. Vlera e gjithsej shërbimeve të eksportuara shënoj rritje vjetore prej 9.4 për qind, duke arritur në 219.7 milionë euro, ndërsa vlera e shërbimeve të importuara shënoj rritje prej 18.0 përqind dhe arriti në 148.6 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton RTKlive.
Sipas BQK-së në kuadër të eksportit të shërbimeve, shërbimet tjera të biznesit shënuan rritjen më të lartë prej 23.8 për qind, ndërsa shërbimet e udhëtimit, që përbëjnë kategorinë kryesore të eksportit (54.3 për qind e gjithsej eksportit të shërbimeve në TM4 2018), shënuan rënie prej 3.8 për qind.
“Edhe tek importi i shërbimeve, shërbimet tjera të biznesit shënuan rritjen më të lartë (47.2 për qind), pasuar nga shërbimet pensionale dhe të sigurimit (21.0 për qind), ndërsa shërbimet e udhëtimit si dhe shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit shënuan rënie (3.4 për qind përkatësisht 0.4 për qind). Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore, në TM4 2018, shënoj vlerën prej 50.1 milionë euro, që paraqet një rënie prej 34.3 përqind. Bilanci i të ardhurave dytësore shënoj rritje për 2.1 për qind, që i atribuohet kryesisht nivelit më të lartë të remitencave. Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan vlerën prej 212.5 milionë euro në TM4 2018, apo 3.6 përqind më shumë krahasuar me TM4 2017”, thuhet në raportin e BQK-së.