Forumi i Shoqatave dhe Intelektualëve Shqiptarë në Belgjikë së bashku me partnerë të tjerë në Europë, të mërkurën duke filluar nga ora 14:30, do të organizojnë një protestë paqësore përpara Komisioni Europian në Bruksel
Kështu është bërë e ditur nga ky Forum përmes një komunikate për media, ku ndër tjerash, u bëhet thirrje shqiptarëve në Belgjikë e Europë, që të marrin pjesë, në mënyrë që Europa, siç thuhet në komunikatë, të mos vazhdojë të promovojë interesat e Serbisë, dhe që të mos vazhdojë sikur s’ka ndodhur sulmi terrorist i 24 shtatorit.
“Mobilizimi popullor është mënyra përmes së cilës Diaspora e jonë mund të kontribuojë për Kosovën duke qenë se ajo është banore në Evropë dhe mund të ndikojë te klasa politike evropiane. Prandaj, duhet që protesta të jetë madheshtore që instancat e larta evropiane të merren me mbrojtjen e interesave të Kosovës si pjesë e Evropës. Kosova ka nevojë për ne të gjithë!”, thuhet pos tjerash në komunikatë.
Komunikatë e plotë:
Forumi i shoqatave dhe intelektualëve Shqiptarë në Belgjikë me partnerë të tjerë në Evropë organizojnë një protestë paqësore përpara Komisionit evropian në Bruksel më datën 25/10 në orën 14:30.
Që Evropa të mos vazhdojë sikur s’ka ndodhur sulmi terrorist i 24 shtatorit as genocidi i 99-tës dhe të vazhdojë të promovojë vetëm interesat e Serbisë pa arritur të imponojë njohjen reciproke, Forumi u bën apel të gjithë Shqiptarëve në Belgjikë e Evropë që të marrin pjesë masovikisht në këtë protestë.
Mobilizimi popullor është mënyra përmes së cilës Diaspora e jonë mund të kontribuojë për Kosovën duke qenë se ajo është banore në Evropë dhe mund të ndikojë te klasa politike evropiane. Prandaj, duhet që protesta të jetë madheshtore që instancat e larta evropiane të merren me mbrojtjen e interesave të Kosovës si pjesë e Evropës. Kosova ka nevojë për ne të gjithë!
Eurodeputetë, Ministra të Belgjikës, poltikanë, intelektualë, artistë dhe studentë do të marrin fjalën në mbështetje të Kosovës!