Kosova ka përparuar ndjeshëm në reduktimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta

Prishtinë | 14 Maj 2019 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Izmi Zeka, zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB)

Kontrolli i Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) është një ndër prioritetet për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

Ministria e Punëve të Brendshme është plotësisht e përkushtuar ndaj nismës së fundit në fushën e AVL-ve, udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme për posedimin, keqpërdorimin dhe trafikimin e AVL-ve në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024.

Përhapja e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) në Republikën e Kosovës dhe posedimi i pakontrolluar paraqesin ende një kërcënim për jetën e njerëzve, rendin dhe sigurinë publike, si dhe zhvillimin ekonomik.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në menaxhimin, kontrollin dhe luftën kundër trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta si dhe eksplozivëve.

Që nga viti 2008, Republika e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti UNDP-në, ka bërë përparim të dukshëm në fushën e kontrollit të AVL-ve.

Arritjet e dukshme janë bërë në kuadrin institucional, kornizën legjislative dhe zhvillimin e kapaciteteve. Korniza institucionale në Republikën e Kosovës gradualisht ndryshoi. Fillimisht kishim vetëm Komisionin Kombëtar i cili më pas u zgjerua në një rrjet operacional të institucioneve relevante dhe bashkëpunuese.  

Institucionet kyçe relevante për kontrollin e AVL-ve

Sa i përket kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe eksplozivëve, Republika e Kosovës zbaton një kornizë dhe strategji të gjerë ligjore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: Ligji nr. 04 / L-198 mbi Tregtinë e Mallrave Strategjike; Ligji nr. 04 / L-004 për Shërbimet Private të Sigurisë; Ligji për 04 / L-022 Përdorimi Civil i Eksploziveve dhe 11 Udhëzimeve Administrative për zbatimin e këtij ligji; Ligji për Armët 05 / – 022 dhe 16 Udhëzime Administrative për zbatimin e këtij ligji; Ligji 03 / L-246 për Armët, Municionet dhe Pajisjet e Sigurisë së Lidhur me Institucionet e Autorizuara të Sigurisë Shtetërore dhe 3 Udhëzimet Administrative për zbatimin e ligjit; Ligji për Gjueti; Ligji për Kontrollin e Kufirit Shtetëror; Ligji Nr. 05 / L -134 për Legalizimin dhe Dorëzimin e Armëve, Municioneve dhe Mjeteve Shpërthyese; Strategjia e Kontrollit dhe Grumbullimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta.

Pra, institucionet e Kosovës kanë krijuar mekanizma të përshtatshëm për zbatimin e legjislacionit që rregullon tregtinë, posedimin, ndjekjen, importin e armëve dhe eksplozivëve për sektorin privat dhe publik.

Shënimi dhe gjurmimi i armëve është funksional dhe është i standardeve të larta. Agjencia Forenzike e Kosovës është e pajisur me sistemin e teknologjisë IBIS (Integrated Ballistics Identification System) dhe gjeneron të dhëna inteligjente.

Në Policinë e Kosovës, Njësia Qendrore e Armëve të Zjarrit (FFP), që ndodhet në kuadër të Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit (ILECU), shërben si zyrë e inteligjencës, e cila punon në luftën kundër trafikut të paligjshëm të armëve.

FFP-ja gjurmon çdo armë të rikuperuar në nivel lokal, si dhe u përgjigjet kërkesave për gjurmim që parashtrohen. Përmes kësaj po përkrahen iniciativat për të avancuar aftësinë e Evropës Juglindore për të parandaluar dhe luftuar kriminalitetin e lidhur me armët e zjarrit dhe trafikimin e armëve.

Republika e Kosovës, në mënyrë të rregullt, merr pjesë në iniciativat rajonale që synojnë kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në rajonin e Evropës Juglindore, pra vendet e Ballkanit Perëndimor. Tregtia ilegale e armëve dhe municioneve, si dhe krimet me armë janë ulur ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme. Institucionet e Kosovës kanë krijuar mekanizma adekuat për luftimin e trafikimit të paligjshëm dhe arritën në identifikimin e rrugëve kryesore të trafikimit.

Që nga viti 2008, Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth 14,294 armë dhe 10,810 armë janë shkatërruar. Posedimi i armëve të paligjshme u zvogëlua me 34 për qind në mes të vitit 2005 dhe 2014, bazuar në të dhënat e mbledhura nga Anketa e Armëve të Vogla.

Sipas anketave, në Kosovë ka rreth 260,000 armë të paligjshme. Kjo tregon një reduktim të madh që nga vlerësimi i fundit i kryer në vitin 2007 (310.000 deri në 440.000 armë).

Republika e Kosovës njihet si një vend me sukses të konsiderueshëm në përpjekjet e tyre në trajtimin e posedimit të armëve të paligjshme dhe largimin e armëve të paligjshme përmes konfiskimit, çaktivizimit dhe shkatërrimit të armëve.

Policia e Kosovës konfiskoi mijëra armë çdo vit. Po ashtu, gjurmimi është mirë i rregulluar. Në Republikën e Kosovës gjurmimi rregullohet me Ligjin për Armët. Përgjegjësia institucionale e gjurmimit në Kosovë qëndron tek Njësia Qendrore e Armëve të Zjarrit (FFP), që ndodhet në kuadër të Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit (ILECU).

FFP-ja në Kosovë është vlerësuar si praktika më e mirë rajonale në Simpoziumin e Interpolit për Forenzikë të Armëve të Zjarrit, duke u fokusuar në: Përpunimin  dhe integrimin e  të dhënave gjithëpërfshirëse dhe të përditësuara të inteligjencës për armët e zjarrit dhe të inteligjencës balistike; Vlerësimet strategjike të inteligjencës që përshkruajnë shkallën dhe natyrën e kriminalitetit të lidhur me armët e zjarrit në Kosovë; Paketa të inteligjencës për hetime dhe operacione që synojnë kriminelët që përdorin armë zjarri; Zhvillimi i rekomandimeve për të shmangur dhe parandaluar kriminalitetin me armë zjarri; Sigurimi i një shërbimi ndërkombëtar të gjurmimit të armëve të zjarrit; Një pikë kontakti dhe Qendra e Ekspertizës për armët e zjarrit për partnerët dhe palët kombëtare dhe ndërkombëtare të interesit – pilot projekt për Ballkanin Perëndimor; FFP-ja në Kosovë është e vetmja në mbarë botën që ka qasje në informimin automatik nga të gjitha sistemet e kërkuara që përmbajnë informata balistike dhe kriminale; Zhvillimi i kapaciteteve në seksionin balistik, të zjarrit të qëllimshëm dhe eksplozivëve të Agjencisë Forenzike të Kosovës, përmes ofrimit të pajisjeve të specializuara dhe kurseve të specializuara (Sistemi i integruar i identifikimit balistik, mikroskopi elektronik skanues, pajisje me derdhje të dyfishtë, sistem shpejtësie plumbash, laborator qitjeje etj.)

Disa nga rezultate kyçe janë: zvogëlimi i numrit të armëve të paligjshme, vrasjeve, grabitjeve me armë, rritja e sigurisë fizike dhe menaxhimi i stokut etj., duke rezultuar në përmirësimin e sigurisë publike.

Gjatë periudhës 2008 – 2017, janë konfiskuar 14,294 armë dhe shkatërruar 10,810 sosh.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga Anketa e Armëve të Vogla, posedimi i armëve të paligjshme u zvogëlua për 34 për qind mes viteve 2005 dhe 2014. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, shkalla e vrasjeve u zvogëlua për 50 për qind dhe vrasjet në tentativë për 16 për qind. Nga viti 2013 deri në vitin 2015 pati një zvogëlim prej 69 për qind të grabitjeve me armë.

Janë zhvilluar standardet e menaxhimit të stoqeve për individë, për persona juridikë të angazhuar në tregtinë e armëve, si dhe për institucionet e autorizuara të sigurisë. Janë përmirësuar stoqet e ndryshme, të cilat tashmë përmbushin standardet e Udhëzimeve Teknike Ndërkombëtare për Municionet, duke përfshirë Licencat për Kufizimin e Eksplozivit

Sfidat dhe rruga përpara

Pavarësisht përmirësimeve në fushën e Armëve të Vogla dhe të Lehta, përhapja e AVL-ve në Kosovë është ende një sfidë për institucionet e sigurisë. Sipas sondazheve, gati një në shtatë qytetarë të Kosovës posedojnë armë ilegale, ndërsa për shkak të dhunës me armë zjarri gjatë vitit 2015, pesëmbëdhjetë vetë humbën jetën.

Gjatë vitit 2015, në pajtim me Kodin Penal të Kosovës, janë raportuar 1.500 raste të krimeve të kryera duke përfshirë armët e zjarrit të raportuara në Policinë e Kosovës.

Për më tepër, sfidë për institucionet tona është zbatimi i Ligjit Nr. 05 / L-134 për Legalizimin dhe Dorëzimin e Armëve, Municioneve dhe Pajisjeve Eksplozive.

Ky proces do të kërkojë planifikim të duhur dhe partneritet me aktorët ndërkombëtarë, sektorin privat dhe komunitetin për të arritur sukses në reduktimin e numrit të armëve të paligjshme, në njërën anë, si dhe reduktimin e kërkesës për posedim të armëve, nga ana tjetër.

Procesi i legalizimit

Armët

1. Arma duhet t’i përkasë kategorisë së lejuar për legalizim, B, C dhe D për qëllimet e parashikuara në kuadër të Ligjit për Armët (shenjëtari, gjueti, koleksion etj…) kurse kategoritë A2 dhe A16 vetëm  për çaktivizim;

2. Arma nuk paraqet rrezik për sigurinë publike;

3. Arma nuk i takon askujt tjetër.

Qytetari

1. Qytetari duhet të ketë moshën mbi 21 vjeç;

2. Të ketë kartë identiteti të Kosovës ose të ketë leje të përhershme qëndrimi;

3. Të MOS paraqesë rrezik për sigurinë publike.

Procesi i legalizimit

1. Pala duhet të paraqitet në stacionin policor më të afërt me vendbanimin apo vendqëndrimin e tij dhe të deklarojë posedimin e armës, të cilën nuk e ka regjistruar më parë, me ç’rast, i njëjti pajiset me librezë

2. Pala është e obliguar që të dërgojë armën te personi juridik i licencuar, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas pranimit të librezës;

3. Personi juridik i licencuar është i obliguar që, brenda dy (2) ditëve pas pranimit të armës, të verifikojë që arma nuk paraqet rrezik për sigurinë publike, të bëjë testin e gjuajtjes dhe të verifikojë nëse arma është shënjuar sipas Nenit 56 zë Ligjit mbi Armët  05/L-022 dhe Nenit 5 të Ligjit nr. 05/L – 134 për legalizimin dhe dorëzimin e armëve, municionit dhe mjeteve shpërthyese;

4. Në rast se personi juridik i licencuar vërteton se janë përmbushur kushtet teknike të armës, organi kompetent e aprovon aplikacionin, palës jepet pëlqimi (me afat 1 vjeçar) nga stacioni policor për përfundimin e procesit të legalizimit dhe i njëjti mund ta marrë armën e cila do të shënjohet si armë e legalizuar sipas nenit 56 të Ligjit për Armë.

5. Me rastin e marrjes se pëlqimit, 1 vjeçar (periudha kalimtare), aplikuesi nënshkruan edhe marrëveshjen e pajtueshmërisë e cila thotë që:

a) gjatë periudhës një (1) vjeçare aplikuesi duhet t’i plotësojë të gjitha kriteret sipas Ligjit për Armë, me qëllim të marrjes së lejes përkatëse;

b) gjatë periudhës një (1) vjeçare arma verifikohet në bazat e të dhënave përkatëse të forenzikës dhe, nëse konstatohet që arma është në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, organi kompetent informon pronarin rreth dorëzimit të armës;

6. Gjatë periudhës kalimtare sipas paragrafit 12 (Nenit 56 të Ligjit mbi Armët  05/L-022), arma nuk mund të përdoret, të transportohet, të shitet apo për të njëjtën të blihet municion.

E rëndësishme është që gjatë periudhës së legalizimit, të shpallur me vendimin 536/2018, do të pezullohet zbatimi i nenit 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

MPB  pas hapjes  së procesit është duke analizuar në vazhdimësi procesin dhe mbi bazë të saj po ndërmerr hapat e nevojshëm. Fushata “Me Letra” intensifikohet me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve tanë anembanë.

Me lejoni që shkurt të ritheksoj se Kosova është një vend i sigurt dhe në fushën e AVL-ve ndërmerr hapat e nevojshëm. Sa i përket trafikimit të armëve, Kosova ka miratuar dhe po zbaton strategjinë e saj për armët e vogla dhe të lehta dhe kontrollin e eksplozivit 2017 – 2021.

Ligji për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municioneve dhe materialeve shpërthyese është edhe një mekanizëm shtesë sa i përket rritjes së sigurisë për vetë qytetarët.

Prandaj, periudha prej gjashtë muajsh për legalizimin e armëve, që ka filluar nga data 17 dhjetor 2018 dhe përfundon më 17 qershor 2019, u ka dhënë shansin qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shfrytëzojnë këtë mundësi.

Tanimë kanë mbetur edhe një muaj kohë deri në përfundimin e këtij procesi, të legalizimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta, dhe ftoj qytetarët që ta shfrytëzojnë edhe këtë periudhë kohore që të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në vend.

Shkrim autorial i zëvendësministrit, z. Izmi Zeka lidhur me procesin e legalizimit të armëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme