Kosova ka planin B për ndeshjen me Greqinë

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka gjasa të mëdha që dy ndeshjet e para të edicionit të ri në Ligën e Kombeve t’i luajë në Itali.

Në fakt, zhvillimi i dy ndeshjeve në Itali është plani B i Federatës së Futbollit të Kosovës, nëse komplikohet situata në lidhje me pandeminë COVID-19, pas ndeshjes së parë kundër Moldavisë.

Ndeshja Moldavi – Kosovë zhvillohet më 3 shtator në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmas. Në këtë ndeshje Moldavia është vendëse. Ajo ka vendosur të organizojë ndeshjen në Itali për shkak se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Tri ditë pas duelit me Moldavinë, Kosova do ta luajë ndeshjen kundër Greqisë, si vendëse. Kjo ndeshje është paraparë të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, por që mund të luhet në “Ennio Tardini”. Këtë e ka pranuar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, të hënën për KOHËN. Ademi ka thënë se gjatë kësaj jave FFK-ja do ta njoftojë si UEFA-n ashtu edhe Federatën e Greqisë për planin B – që ndeshja të luhet në Parma të Italisë. Ai ka thënë se plani B është si masë paraprake për të mos dështuar zhvillimi i ndeshjes me Greqinë në rast se pas duelit me Moldavinë del ndonjë rast pozitiv me koronavirus apo situata me pandeminë keqësohet në Kosovë.

“Ne e kemi si plan B që ndeshjen me Greqinë ta luajmë në Itali, saktësisht në stadiumin e njëjtë ku do të përballemi me Moldavinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme