Në Kosovë ka mungesë të asistentëve për personat me aftësi të veçanta. E këtë mungesë e vërejnë më së shumti familjarët e personave të kësaj kategorie. Ndërkaq, shuma për të cilën paguhet një asistent është 150 euro në muaj.
Mimoza Bytyqi Rrahmani vinte bashkë me të birin e saj me aftësi të veçanta në shkollën “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë.
Sot e asaj dite, e ëma e Uranit e ka të vështirë ta përballojë mungesën e një asistenti.
Para shkollës ku mësonte i biri dikur, Mimoza kujton asistimin e saj edhe në klasë.
“Normalisht që është shumë e vështirë që ne si prind t’i përballojmë këto mungesa të asistentëve. Po definitivisht ne si prind asnjëherë nuk jemi ndalë, unë e di edhe eksperiencën e prindërve tjerë edhe në mungesë të asistentëve kemi qenë nëpër klasa, kemi asistu herë pas here ka qenë edhe shumë e vështirë”, thotë ajo
E për të asistuar një person me aftësi të veçanta, shuma që paguhet është 150 euro.
“Kjo nuk është e mjaftueshme. Assesi. Në veçanti për paraplegjik dhe tetraplegjik, ku një kujdestar e merr një shumë prej 150 euro për me u kujdes për vëllaun, motrën, fëmijën, babën”, thotë Afrim Maliqi, drejtor i Handikos.
Por në shumë raste, për persona me aftësi të veçanta nuk mjafton vetëm një asistent.
“Shpesh herë ka situata apo raste ku nuk mjafton një kujdestar, por duhet nga dy e nga tre kujdestarë për arsye se 24/7 duhet kujdesi i vazhdueshëm, duhet të pastrohet, duhet të vishet, duhet të ushqehet. Është një situatë me të vërtetë shumë e rëndë dhe institucionet tona ende nuk po e marrin seriozisht në veçanti mbulimin e kostos së atyre kujdestarëve. Me 150 euro familja nuk mund ta gjejë asnjë person që të përkujdeset për anëtarin e familjes”, shprehet Maliqi për Tëvë1.
Momentalisht në Kosovë janë dy ligje që mbështesin shoqëruesit apo asistentët për personat me aftësi të veçanta.
Ligji për të verbëritë që e mbështetë shoqëruesin për të verbërinë dhe ligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, me ç’rast mbështetet një kujdestar i atij personi.