Kosova merr fitoren e parë, Milot Rashica shkëlqeu

Prishtinë | 12 Tet 2023 | 22:55 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka fituar 3-0 në udhëtim te Andorra në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, ndërsa ishte e para për Dardanët.

Golat për tanët i shënuan Milot Rashica me dy, dhe Altin Zeqiri, për të vulosur triumfin bindës.

Kombëtarja e Kosovës e ka realizuar fitoren e parë në kuadër të Grupit I në kualifikimet për Euro 2024, teksa e ka mposhtur Andorrën në “Estadi Nacional”, me rezultat 3:0.

Dardanët e dominuan që nga fillimi ndeshjen, ndonëse Andorra edhe kësaj radhe u shfaq ekip i papërshtatshëm dhe me mbrojtje të ngjeshur.

Megjithatë, rezultati u zhbllokua në minutën e 26-të, kur Milot Rashica shënoi me gjuajtje nga brendësia e zonës, pas një asistimi të shkëlqyeshëm të Florent Muslijës.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e një goli për Dardanët, teksa pjesa e dytë vazhdoi lojë të luftuar e angazhim të madh nga të dyja palët.

Mirëpo, goli i qetësisë erdhi në minutën e 71-të, kur sërish rrugën e golit e gjeti Rashica. Vojvoda harkoi nga krahu tek Hadërgjonaj, por topi arriti te Rashica i cili nga afërsia e nguliti topin në rrjetën e portës së vendasve për 2:0.

Ndërkohë, rezultatin përfundimtar e vulosi Altin Zeqiri, i cili debutoi në këtë ndeshje në fanellën dardane, duke shënuar nga afërsia pas një asistimi maestral të Rashicës. I pafat në këtë ndeshje ishte sulmuesi Albion Rrahmani, i cili u detyrua ta braktisë ndeshjen me barrele për shkak të lëndimit të pësuar në minutën e 64-t.

Kjo fitore e ngrit paksa moralin e Dardanëve për ndeshjet e ardhshme, teksa matematikisht edhe më tutje qëndrojnë në lojë për kualifikim, por me gjasa të vogla, me 7 pikë pas 7 ndeshjeve të zhvilluara.

Kosova ishte padyshim skuadër më e mirë në fushë dhe mori notën e përgjithshme 7.24, ndërsa Andorra u vlerësua me 6.26, sipas SofaScore.

Lojtari me paraqitjen më të mirë në këtë përballje ishte padyshim Rashica, që u notua me 9.8.

Të ngjashme