Kosova ka nënshkruar Projektin për Qeverisje Dixhitale, i cili synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve administrative publike të përzgjedhura dhe të qasjes së përdoruesve në to, raporton Ekonomia Online.
Mbështetja e aprovuar financiare për projektin pesëvjeçar është kredi koncesionare prej 20 milionë dollarësh, nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore.
Kredia ka maturitet prej 25 vjetësh dhe grejs-periudhë prej 5 vjetësh. Projekti do të zbatohet nga Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, ndërsa do të fokusohet në tri komponentë, në transformimin dixhital të Qeverisë, atë për shërbime publike, si dhe ngritjen e kapaciteteve.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas nënshkrimit të projektit me menaxherin e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.
“Projekti ka tri komponentë, transformimin digjital të Qeverisë, transformimin digjital për shërbimë publike dhe ngritjen e kapaciteteve. Te transformimi digjital i Qeverisë, një shembull i kësaj, do të ishte nënshkrimi digjital, i cili na është kërkuar nga Banka Botërore. Transformimi digjital për shërbime publike, shumë certifikata dhe dokumente mund të shkarkohen online, pa pasur nevojë për të pritur në sportele, por do të investohet edhe më shumë në këtë aspekt. Ngritja e kapaciteteve në mënyrë të qëndrueshme, që edhe pasi që të përfundojë projekti, të kemi staf dhe sisteme të qëndrueshme”.
“Ky projekt që financohet nga Banka Botërore është kredi koncesionare prej 20 milionë dollarësh, nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka maturitet prej 25 vjetësh dhe grejs-periudhë prej 5 vjetësh, me normë interesi 1.25%, që është një normë e mirë. Projekti do të zbatohet nga Agjencia për Shoqërinë e Informacionit”, ka thënë Murati.
Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, Massimiliano Paolucci, ka thënë se Kosova ka arritur disa pika historike në drejtim të reformave digjitale, duke përfshirë një nga nivelet më të larta të lidhshmërisë në Evropë, por përparimet nuk janë përkthyer mjaftueshëm në ofrimin e përmirësuar të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Ai ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në Evropë që ka internet të shtrirë në 100 për qind të territorit.
“Zhvillimi i arkitekturës institucionale të qeverisjes digjitale dhe forcimi i infrastrukturës së rrjetit qeveritar dhe platformave të përbashkëta janë themelet kyçe për të mbështetur transformimin digjital të shërbimeve qeveritare dhe publike. Dixhitalizimi i suksesshëm i shërbimeve dhe nxitja e përdorimit të tyre do t’i përforcojnë përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, për përmirësimin e fuqizimit të grave, si dhe për luftimin e ndryshimeve klimatike”.
Paolucci shtoi se projekti duke përmirësuar infrastrukturën digjitale, do ta përmirësojë edhe jetën e qytetarëve.
“Ky projekt do ta përmirësojë infrastrukturën digjitale e njëkohësisht edhe jetën e qytetarëve. Kosova ka shënuar disa të arritura për transformimin digjital. Është vendi i vetëm në Evropë që ka mbërritur ta shtrijë internetin në të gjithë territorin”, ka thënë ai, raporton EO.