Kosova merr kryesimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 19 Dhj 2024 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se dje e sot në Tiranë u zhvillua takimi i Këshillit të Zyrtarëve të Lartë të Fondit të Ballkanit Perëndimor.

MPJ-ja tha se gjatë këtij takimi, sipas radhës, kryesimi njëvjeçar me organizatën e Fondit të Ballkanit Perëndimor nga Bosnjë dhe Hercegovina, kaloi te Kosova, e cila në këtë takim u përfaqësua nga udhëheqësi i Divizionit për Rajon, Kenan Tora.

“Me këtë rast, z. Tora shprehu vlerësimin për punën që është bërë në kuadër të organizatës gjatë vitit që po lëmë pas, si dhe nevojën që të bëhet më tepër për të avancuar qëndrueshmërinë institucionale të organizatës dhe gjithashtu kapacitetet e saj për të pasur ndikim afatgjatë në fushat e aktiviteteve të saj”.

“Kosova e ka dëshmuar veten që është një partner i besueshëm në Bashkëpunimin Rajonal duke marrë pjesë aktive në mekanizmat rajonal, përfshirë në këtë rast edhe ËBF. Për Kosovën, vlerat, parimet dhe standardet evropiane duhet të jenë parimet udhëheqëse në Bashkëpunimin Rajonal, kurse objektivi final është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjatë kryesimit të ËBF, Kosova do të angazhohet për të garantuar barazi mes anëtarëve, si dhe transparencë, llogaridhënie dhe efektivitet”, tha ai.

Fondi i Ballkanit Perëndimor synon të promovojë bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta midis qytetarëve, shoqërisë civile dhe kontaktet mes njerëzve, duke siguruar financime për projekte të vogla dhe të mesme, në fushat e aktiviteteve të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme