Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO), “Fuqizimi i rrugës për pajtim dhe bashkëpunim rajonal.
Debati për të ardhmen evropiane të të rinjve kosovarë”, raporton Ekonomia Online.
Gashi foli për bashkëpunimin e deritashëm dhe i falënderoi drejtuesit e RYCO-s dhe të pranishmit për organizimin e konferencës si dhe për vazhdimin e realizimit të objektivave në të mirë të rinisë.
Këtë vit, kryesimin e Bordit Drejtues të RYCO-s do ta ketë Kosova dhe ministri e konsideroi këtë si një privilegj dhenjë nxitje për të punuar edhe më shumë për rininë.
Gashi tha se qëllim i RYCO-s është që të hiqen barrierat mes të rinjve të Ballkanit. Sipas tij, nuk duhet harruar historia mirëpo duhet ecur drejt Evropës.
“RYCO ka një strukturë të fuqishme dhe ka pas vetës një plan që të implementohet një rol i shpejt edhe për t’i eliminuar barrierat dhe për t’i pajtuar vendet për ato çka kanë ndodhur në dekadat e kaluara. RYCO gjatë vitit 2018 e ka bë një punë shumë të madhe”.
“Ajo çka i pret të rinjtë është shumë shpresëdhënëse. Synimet janë që të rinjtë e vendeve të rajonit të mos kenë barriera në mes vete edhe në komunikimin e përgjithshëm. Ka qenë një vendimmarrje e drejtë kur është menduar themelimi i RYCO-s”.
“Unë si kryesues i RYCO-s gjatë vitit 2019 e di që jo lehtë e kemi me i shtyrë proceset përpara sepse jetojmë në mentalitete të ndryshme dhe jetojmë në një rajon ku ende ka paragjykime për njëri-tjetrin. Detyrë e jona është që ta përmbushim fuqishëm misionin e RYCO-s që të rinjtë tonë të jenë pa barriera e dallime”.
“Ne nuk duhet ta harrojmë historinë mirëpo duhet ta ndërtojmë një të ardhme drejt Evropës. Të gjithë të rinjtë kanë probleme të ndryshme, duke përfshirë shkollimin e lëvizjen e lirë, këtu më së shumti e kanë pësuar të rinjtë e Kosovës, besoj që RYCO do të ndihmojë edhe në këtë aspekt”, tha ai.
Arianit Jashari, anëtarë i bordit në RYCO, tha se integrimi në BE bëhet duke respektuar njëri-tjetrin.
“Pajtimi dhe bashkëpunim janë sinonim i RYCO-s. Unë nuk di çka do të thotë bashkëpunimi rajonal kur ne nuk flasim me njëri-tjetrën. Integrimi në BE bëhet duke respektuar njëri tjetrin dhe duke respektuar të drejtat fondamentale siç është liria e lëvizjes”.
“Të aspirosh të integrohesh në BE dhe të përdorësh regjim vizash është shume qesharake. Vullneti i të rinjve të Kosovës është shumë i madh mirëpo mundësit tona janë shumë të vogla. Po flasim për një pajtim dhe për një bashkëpunim qe krejt ne të rinjtë jemi për këto të dyja”.
Sekretari i përgjithshëm të RYCO-s, Djuro Blanusa, tha se fusha e pajtimit nënvlerësohet ndonjëherë në rajon e që sipas tij, është një ndër aspektet kryesore të jetesës së përbashkët.
“Ne diskutuam që të vendosim standarde Edhe më të larta. Ka shumë hapësirë për përmirësim sidomos në fushën e pajtimit dhe kjo është pjesa që nënvlerësohet ndonjëherë në rajon. Është shumë mirë që s’kemi luftën tani por Franca dhe Gjermani janë shembull i mirë se sa energji është thënë që të arrihet deri tek pajtimi. Unë vi nga Beogradi dhe jetoj në Tiranë
që 18 muaj, ne ndajmë të njëjta sfida sepse familja ime jeton në Beograd”.
Fatos Mustafa, zëvendëssekretar i RYCO-s, tha se të rinjtë e rajonit duhet të marrin përgjegjësinë se si ta ndërtojnë të ardhmen, raporton EO.
“Të rinjtë e Kosovës dhe të rajonit duhet të përqendrohen në ndarjen e përgjegjësive, pastaj është kontributi të cilin duhet ta japin karshi proceseve që përballet rajoni”.
“Ata i referohen politikës por duhet ta përkthejnë atë se çka ne po japim për të bërë një rajon më të mirë dhe e fundit sa ka mundësi që të rinjtë e rajonit të japinë atë që munden që të përmbushin njëri-tjetrit. Kur gjithë bëhemi bashkë mozaiku plotësohet”, tha ai.
RYCO është mekanizëm i pavarur institucional i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal në fushën e rinisë.