Kombëtarja e Turqisë të premten e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore për ndeshjen me Kosovën, e cila do të zhvillohet sonte në Antalya prej orës 18:00, sipas kohës sonë lokale.
Turqit e kanë nisur shumë dobët kampanjën kualifikuese për Botërorin “Rusia 2018”, duke i regjistruar dy barazime e një humbje dhe gjenden në vendin e katërt të Grupit I me 2 pikë, pesë më pak sesa Kroacia e Islanda dhe tri më pak sesa Ukraina, ndërsa kanë vetëm një pikë më shumë sesa Finlanda dhe Kosova, që është e fundit në grup.
Kjo i ka shtyrë turqit të mobilizohen për ndeshjen me Kosovën për ta shijuar fitoren e parë, me të cilën shpresojnë të këndellen dhe t’i mbajnë gjallë shpresat për kualifikim në Botëror. Në të kundërtën, shpresat e tyre do të marrin fund. Kështu ka thënë në konferencën për shtyp edhe vetë përzgjedhësi turk, Fatih Terim.
“Shpresoj që prej të shtunës, pra nga ndeshja me Kosovën, t’u kthehemi fitoreve. Kemi luajtur si mysafirë të Kroacisë dhe Islandës. Të dyja këto skuadra i presim në ndeshjet kthyese dhe do ta kemi përparësinë e terrenit. Pra, duhet t’i fitojmë ndeshjet si vendas, pasi mbi të gjitha i presim ekipet kryesore të grupit”, ka deklaruar të premten Terim.
“Ndeshja me Kosovën nuk është e lehtë siç mendohet. Kosova ka debutuar në arenën ndërkombëtare dhe ata futbollistë janë të rinj, cilësorë me entuziazëm për ta përfaqësuar denjësisht vendin e tyre. Megjithatë, ne jemi të përgatitur mirë, atmosfera në kampin tonë është e mirë. Kështu, duke e ditur se të shtunën ekipi ynë do të kombinohet me tifozët në kërkim të fitores, unë besoj se do ta arrijmë një rezultat të mirë e të kënaqshëm”, ka theksuar Terim, i cili para dy vjetësh e pati fituar miqësoren me Kosovën në Mitrovicë me rezultat 6:1. Ai tha se situata në mes tij dhe Arda Turanit tashmë është qetësuar dhe se gjithçka është në rregull, duke paralajmëruar se shiritin e kapitenit pritet t’ia besojë pikërisht yllit të Barcelonës.
Ndërkohë, edhe futbollistët e Terimit u kanë premtuar tifozëve turq se të shtunën, nga dueli me Kosovën, do t’u japin fund rezultateve negative. Ata janë të bindur se do të fitojnë përballë Kosovës, ndërsa theksuan se ende nuk kanë hequr dorë nga përpjekja dhe dëshira për t’u kualifikuar në Botëror. Por, janë të vetëdijshëm se me një “kiks” eventual në duel me Kosovën, ëndrra e tyre për të shkuar në “Rusia 2018” shuhet. (Zëri)