Kosova me mungesë të inspektorëve për hulumtimin e tregut

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 12:42 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Financa mbajti mbledhjen e radhës.

Pikë e dytë e rendit të ditës ishte Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2017.

Drejtori i AKK-së, Valon Prestreshi, tha se pas marrjes së detyrës ky autoritet është ballafaquar me probleme organizative dhe mungesë stafi, raporton Ekonomia Online.

“Jemi ballafaquar me probleme organizative, mungesë e stafit dhe grumbullimin e lëndëve që kanë qëndruar në sirtar për shkaqe të vendimmarrjes”.

Ai tha se buxheti i ndarë për paga dhe mëditje është shpenzuar 100%, mallra dhe shpenzime 73%, ndërsa për shpenzime komunale rreth 76%.

Prestreshi shprehu shqetësim për numrin e vogël të inspektorëve hetues për monitorimin e tregut.

“Ngritja e kapaciteteve humane duhet të trajnohet, ka vetëm 5 inspektorë hetues dhe është e pamundur të monitorohet i tërë tregu i Kosovës”.

Lumir Abdixhiku, kryetar i komisionit, tha se për çfarë udhëzimi të ri adminsitrativ bëhet fjalë për homologimin e veturave, pasi që GAP dhe BE i referohen këtij autoriteti për ndryshim.

“Kam marrë dy letra, një nga BE dhe nga instituti GAP për homologim të veturave. Në të dy letrat i referohet AKK-së për një ndryshim të udhëzimit administrativ, çfarë udhëzimi administrativ bëhet fjalë”.

Prestreshi tha se ky udhëzim administrativ është ndryshuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe është nënshkruar nga kjo ministri pa mendimin e AKK-së (Autoriteti Kosovar i Konkurrencës), raporton EO.

“Me ardhjen tonë jemi ballafaquar me ankesën e GAP-it për homologimin e mjeteve, gjatë viteve dhe vitin e kaluar e kemi pa që MI e ka vendosë në diskutim publik një udhëzim të ri administrativ për homologimin e mjeteve rrugore. Do të shqyrtojmë ligjin per mbrojtjen e konkurrencës, kemi marrë një iniciativë për këtë draft udhëzim administrativ, i cili shpie në sjellje antikonkurruese për tregun e veturave. Nuk kemi pasë përgjgjje nga MI, kemi marrë informata që ky udhëzim administrativ është nënshkruar nga MI duke mos respektuar mendimin profesional të AKK-së, kjo çrregullon tregun. Kam biseduar me avokatin e popullit dhe kam kërkuar këtë të shkojë në gjykatë kushtetuese. Kërkoj edhe nga ju debat parlamentar për këtë”.

Safete Hadërgjonaj, nga PDK-ja pyeti se si është e mundur që qind për qind është harxhuar me centë buxheti për paga. Prestreshi tha se pagat kanë qenë të përcaktuara nga ky komision dhe nuk ka pasur shtesa asnjëherë.

“Pagat dhe mëditjet e bordit janë të përcaktuara nga komisioni për buxhet janë fikse, nuk ka shtesa. Kryetari 1014€ , anëtarët 935€. Kështu janë pagat e përcaktuara, edhe në raport nuk ka pasë asnjë lloj shtese të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës”.

Ky raport u votua nga të gjithë deputetët dhe kalon për votim në Kuvend.

Gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2017, drejtori i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF-së), Ramadan Gashi, ka kërkuar buxhet shtesë prej 50% për krijimin e zyrave mobile në qytete të ndryshme ku qytetarët mund të kërkojnë ndihmë juridike falas.

“Kemi mungesë të buxhetit, përveç të zyrave rajonale të kemi edhe zyrtarë që nuk mund t’i dërgojmë në zyra tjera dhe nuk kemi arritë të marrim këtë mbështetje, dhe qytetarët kanë të drejtë të shfrytëzojnë të drejtën juridike falas. Agjensia kërkon ndihmë nga Kuvendi për zyrtarë mobilë”.

Ai ka kërkuar buxhet shtesë për 50% për krijimin e zyrave mobile, raporton EO.

Komisioni i rekomandon Kuvendit votimin e këtij raporti, raporti kalon me të gjitha votat për.

Pika e katërt ishte Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për vitin 2017.

Kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikqyrës (KPM), Shkëmb Manaj, tha se të aprovuara kanë qenë 772 mijë euro.

“Ka pasë të aprovuara 772 mijë euro, ka pasë të planifikuara rreth 236 mijë euro, me rishikim nuk ka pasë ndryshim të kësaj gjendjeje”.

“Mallra dhe shërbime 107 mijë euro, dhe me rishikim janë shtuar 10 mijë euro, kjo ka ndodhë sepse 9 mijë euro janë bartur nga kategoria kapitale në atë të mallrave dhe shërbimeve. Në kategorinë mallëra dhe shërbime ta pashpenzuara rreth 17 mijë euro. Në kategori komunale nuk janë shpenzuar 151€”.

Lumir Abdixhiku, kryetar i komisionit, tha se nuk është mirë që të harxhohen të gjitha mjetet financiare të planifikuara për udhëtime zyrtare.

“Për udhëtime zyrtare jashtë vendit, jeni qind për qind të planifikuara, qysh ia keni qëlluar që qind për qind 1 vit përpara keni me i harxhu kaq. Një praktikë e tillë nuk është e mirë, me harxhu sa është e planifikuar”.

Abdixhiku bëri thirrje të kenë kujdes me këtë mënyrë të planifikimit buxhetor për udhëtime zyrtare (dreka,akomodime), sepse, sipas tij, kjo mënyrë lë për të dyshuar për diçka më shumë.

Të ngjashme