Kosova në pritje të lirimit të Haradinajt

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 08:12 | Nga

Në Colmar të Francës do të mbahet seanca gjyqësore ndaj liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në të cilën pritet të merret vendimi përfundimtar për lirimin e tij.

Para mbajtjes së kësaj seance, Haradinaj është shprehur i bindur se Gjykata e Colmarit do ta refuzojë kërkesën e Serbisë për ekstradim dhe do ta lirojë atë. Ai ka thënë se kërkesa e palës serbe është e padrejtë dhe e motivuar politikisht.

“Kërkesa e palës serbe është e padrejtë dhe e motivuar politikisht. Kjo kërkesë është thjesht përndjekje ndaj meje dhe nuk ka të bëjë asgjë me ligj. Pikërisht ata që po e bëjnë këtë kërkesë janë ata që u kanë shkaktuar tragjedi popujve të Ballkanit dhe kanë shkaktuar gjenocid në Kosovë.

Është vërtetuar edhe në seancën e fundit gjyqësore se kjo kërkesë nuk qëndron. Besoj se vendimi për këtë kërkesë do të jetë refuzues, dhe unë do të kthehem në Kosovë”, ka deklaruar këto ditë Ramush Haradinaj në një intervistë për “Epokën e re” .

Ish-kryeministri i Kosovës është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt, 2 mars dhe 6 prill, tani vendimi i ri për Haradinajn do të dihet më 27 prill.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme