8 sportistë do të përfaqësojnë Kosovën në Rio 2016. Në debutimin e saj në një Olimpiadë, shteti më i ri në Europë lë prapa edhe Shqipërinë, e cila pavarësisht premtimeve të presidentëve të federatave të ndryshme nuk do të shkojë më shumë se me 5 sportistë.
“Është historike për ne. Kosova në këtë olimpiadë të parë merr pjesë me 8 sportistë. Dy prej tyre janë të kualifikuar, ndërsa 6 të tjerët janë me ftesa”, shprehet Besim Hasani.
Presidenti i Komitetit Olimpik kosovar, Besim Hasani, pohon se pavarësisht mundësive dhe kohës së shkurtër në dispozicion, institucioni që ai drejton ka bërë gjithçka që sportistët të zhvillojnë një fazë përgatitore të mirë brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij pritshmëritë më të mëdha për medalje, janë sigurisht te sporti i xhudos.
“Majlinda është kandidate serioze për medalje të artë olimpike, ndërsa kemi pritshmëri edhe nga Nora Gjakova. Por si do të jetë vetëm pjesëmarrja e Kosovës në një ngjarje të tillë me simbolet e saj në një event që ndiqet nga miliarda shikues, është një arritje e jashtëzakonshme”, thotë Hasani.
Flamurmbajtësja e Kosovë në Rio 2016 do të jetë padyshim kampionia Majlinda Kelmendi, xhudistja, e cila kryeson dhe klasifikimin botëror për peshën 52 kg.