Alternativë për BE-në? Ankaraja “ia ka hedhur syrin Kosovës”. Kështu titullohet artikulli që prezanton emisionin radiofonik “Rendez-vous” të transmetuesit publik të Zvicrës, SRF, i cili në edicionin e sotëm merret me Kosovën e gjendur në “sandviç” në mes të BE-së e perëndimit nga një anë dhe Turqisë e lindjes nga ana tjetër.
“Në Ballkan BE-ja nuk e ka më atraktivitetin dhe as autoritetin të cilin e kishte deri para vetëm pak vitesh. Kjo, për faktin se BE po merret tepër shumë me veten. Për këtë arsye, ato shtete të Ballkanit të cilat janë ende duke pritur para portës së BE-së po bëhen më të paparashikueshme.
Kosova, me shumicën e vet islame (kështu e quan korrespondenti i SRF për Ballkan, Christoph Wüthrich shumicën myslimane) për shembull, e mban një vesh hapur për Turqinë. Dhe kjo e fundit, e shfrytëzon këtë”, transmeton albinfo.ch.
Më tutje ai shkruan për Prizrenin, i cili ka njërin ndër qytetet më të bukura të vjetra në Ballkan. Në Prizren, veç tjerash, Turqia përmes agjencisë së saj TIKA, ka derdhur para për restaurimin e Xhamisë së Sinan Pashës.
Eksperti i sigurisë, Florian Qehaja flet për zgjerimin e ndikimit turk në Kosovë. Sipas tij, Turqia i lidhë në një pikë të vetme elementin politik, ekonomik dhe religjioz. Ndërsa shtresa te e cila Turqia e sotme gëzon më shumë simpati, sipas tij, nuk është as ai 2 përqindëshi radikal fundamental dhe as 70 përqindëshi laik në mesin e myslimanëve. Por, ky është grupi prej rreth 25%, i atyre që praktikojnë islamin tradicional , të matur, ballkanik. Duke përfituar më shumë nga ndihma turke, ata e shohin Erdoganin tashmë edhe si prijës religjioz.
Por, vazhdon artikulli, megjithatë te shumica e popullatës, Turqia nuk përbën alternativë ndaj rrugës drejt anëtarësisë në BE. Këtë, veç tjerash e ka treguar edhe kundërshtimi “me mirësjellje” që autoritetet kosovare i kanë bërë presionit të Erdoganit për të mbyllur shkollat e Gülenit. Ato nuk kanë dashur që para publikut të dalin si dorë e zgjatur e Turqisë.
Artikullshkruesi në përmbyllje kosntaton se “ndonëse Turqia ka fituar ndikim në ekonominë dhe shoqërinë kosovare, ajo, politikisht nuk ka mundur ende të etablohet në Kosovë”.