Kosova nënshkruan marrëveshje për ujërat me Zvicrën në vlerë 9 milionë euro

Prishtinë | 12 Tet 2023 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike i Qeverisë Zvicerane kanë nënshkruar sot marrëveshje për projektin “Qëndrueshmëria Klimatike në Sektorin e Ujërave në Kosovë”, në vlerë totale prej 9 milionë euro.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se ky projekt adreson forcimin e kapaciteteve të Kompanive Rajonale të Ujit në ofrimin e shërbimeve të ujit dhe ujërave të zeza, e në mënyrë specifike reduktimin e ujit të pa faturuar, efikasitetin e energjisë dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Tutje, projekti i ujërave adreson rritjen e performancës operacionale të KRU-ve, e cila pastaj kontribuon në ofrimin e shërbimeve më të mira e me cilësi të lartë për qytetarët, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare për KRU-të.”

Ministri Hekuran Murati ka falënderuar ambasadorin e ngarkuar në detyrë Christoph Fuchs për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë Zvicrane në projekte zhvillimore, e në veçanti në sektorin e ujërave.

Ndërsa, Fuchs u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës në sektorin e ujërave, ku edhe theksoi se projekti në fjalë ka ardhur si rezultat i projekteve të mëparshme e mësimeve të nxjerra në sektorin e ujit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në investime strategjike në fusha me interes të veçantë për vendin, në linjë me Strategjinë Shtetërore të Ujërave.”

Të ngjashme