Qeveria e Kosovës në mbledhjen e hënës ka miratuar nismën për Lidhjen e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës të mbajtur të hënën, është miratuar Nisma për Lidhjen e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, raporton TRT Turk.
Kryeministri Ramush Haradinaj ia dha fjalën ministrit të mbrojtjes, gjeneral Rrustem Berisha për të paraqitur para ministrave kërkesën. Ministri Berisha duke dhënë detaje për bashkëpunimin, rekomandoi miratimin e nismës.
“Bëhet fjalë për një donacion që i dedikohet Ministrisë së Mbrojtjes dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes në fjalë i ka kaluar të gjitha fazat procedurale të parapara me rregulloren e punës të Qeverisë numër 09/2011 dhe ligjit numër 04-52, për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe rekomandoj të miratohet kjo nismë në fjalë”, tha ministri Berisha.
Ministrat e Qeverisë së Kosovës me të gjitha votat pro, pa asnjë votë kundër e pa asnjë abstenim, miratuan Nismën për Lidhjen e Marrëveshjes Për Bashkëpunim Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.