Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe GIZ-i kanë organizuar diskutimin “Politikat për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë”, gjatë të cilit u lansua raporti “Obligimet në fushën e efiçiencës së energjisë dhe harmonizimi me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.
Raporti përmban një përmbledhje analizash dhe gjetjesh në procesin e reformave në fushën e efiçiencës së energjisë, raporton Ekonomia Online.
Sipas këtij raporti, Kosova ka nivelin më të vogël të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në krahasim me vendet e Rajonit, pothuajse në një nivel me Shqipërinë dhe Bosnën e Hercegovinën, ndërsa nivel më të lartë kanë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia me nivelin më të lartë të zbatimit.
Bedri Dragusha, profesor në Universitetin e Prishtinës, në prezantimin e hulumtimit rreth obligimeve të Kosovës në fushën e Efiçiencës Energjike, tha se një prej zotimeve të Kosovës është shumëllojshmëria e furnizimit të energjisë dhe se aktualisht Kosova 97% të energjisë e përfiton nga linjiti dhe vetëm 3% nga burimet tjera.
“Një tjetër zotim është edhe aplikimi i rregullave të BE-së në transit, transmision, shpërndarje dhe restaurim me shtetet fqinje”, tha Dragusha.
Ndërsa për sfidat në këtë fushë që ka Kosova, sipas Dragushës, duhet punë e madhe që nuk mund të bëhet nga grup i vogël njerëzish, raporton EO.
“Disa prej sfidave që Kosova ka janë: krijimi i mekanizmave për ngritje të kapaciteteve, hartimi i standardeve, miratimi i ligjit për efiçiencë energjike, krijimi i fondit për efiçiencë energjike”, tha ai.
Në tryezë mori pjesë edhe Jasma Sekulovic, menaxhere e Projektit Rajonal për Efiçencë Energjike, nga GIZ-i, e cila tha se ky projekt , një ndër të tjert, po realizohet me rrjetin e shkollave të studimeve politike nga Evropa Juglindore.
Ky projekt ka filluar para disa vitesh me 7 vende të Ballkanit Perëndimor.
“Arsyeja për këtë nismë është se strategjitë dhe dokumentet ekzistojnë në fushën e efiçiencës energjike, mirëpo zbatimi gjithmonë është pikë më e dobët”, tha Sekulovic.
“Jemi duke punuar ngushtë me Parlamentin dhe deputetët, si në nivel rajonal edhe në shtëtëror, meqë vendet e Evropës Juglindore po përballen me të njëjtat probleme në këtë fushë”, tha ajo.