Grupi Punues Ndërinstitucional i Republikës së Kosovës për themelimin One-Stop Shop-it, për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë (BRE), i kryesuar nga zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi dhe me mbështetjen e projektit Repower-Kosovo të USAID-it, kanë zhvilluar një vizitë studimore në Danimarkë dhe Belgjikë për t’u njohur me praktikat më të realizuara evropiane në proceset e zhvillimit të projekteve të BRE-së.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni nga Kosova ka zhvilluar takime të ndara me zyrtarë të lartë përgjegjës për proceset e licencimit të projekteve të BRE në Qeverinë e Skocisë, Shoqatën Daneze të Energjisë së Erës, Federatën Evropiane të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë si dhe me agjencinë e regjionit të Wallonisë, që ka mandat ekuivalent me atë të një One-Stop Shop-i.
Nga këto diskutime rezultuan këmbime të rëndësishme të përvojave, të cilat do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të zhvillimit të projekteve dhe përmirësimin e transparencës në sektorë të energjisë.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik është e përkushtuar, që të përmbushë cakun obligativ prej 25% të konsumit bruto final nga BRE-të deri në vitin 2020. Përmirësimi i kushteve të zhvillimit të këtyre projekteve konsiderohet të jetë faktor kyç në arritjen e cakut të BRE-ve, duke përmirësuar sigurinë e furnizimit dhe kushtet mjedisore nga prodhimi i energjisë së pastër.