Lluka: Për incidentin në Beograd kemi reaguar te Federica Mogherini dhe Johannes Hahn

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 16:42 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka mbajtur konferencë për medie për të njoftuar rreth përmbajtjes së marrëveshjes për uljen e çmimeve të roamingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u nënshkrua dje në Beograd, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se kjo ishte hera e parë që Kosova është paraqitur e barabartë me vendet e tjera, megjithatë ai nuk ka mohuar se janë penguar fjalimet e folësve kosovarë.

Lluka tha se gjithë pjesa teknike në sallën ku është mbajtur takimi ka qenë e kontrolluar nga ana serbe, madje edhe një pjesë e tekstit është shfaqur e shkruar mbi Pavarësinë e Kosovës.

“Në një moment kur një ministër i një ministrie të Kosovës shkon në Beograd të nënshkruaj një marrëveshje, pala serbe e ka marrë si një atak ndaj tyre dhe janë munduar ta pengojnë. Kjo ka ndodhë në secilin fjalim për fat të keq. Kanë marrë nën kontroll mikrofonat, ndriçimin ku kanë lexuar një pjesë se Kosova nuk është e pavarur. Për mua ishte moment jo i mirë, por ajo që tregon është se e tregon Serbinë para BE-së. Kemi bë reagime të menjëhershme te komisioneri Hahn dhe Mogherini ku i kemi lajmëruar për këtë incident”, tha Lluka.

 “…Prioritet ka qenë nënshkrimi marrëveshjes për heqjen e roamingut ku Kosova për herë të parë është paraqitë si vend i barabartë me të gjitha vendet tjera, marrëveshje që pritet të futet në zbatim nga korriku i këtij viti. Një korrik 2021 pritet të largohen të gjitha tarifat dhe të aplikohet roaming kudo në Ballkanin Perëndimorë. Kemi qenë delegacion i madh nga Kosova. Në përgjithësi kemi pas ekspozim jashtëzakonisht të madh ku ish fokus dhe kishte të pranishëm evropianë. Ishte aktivitet ku Kosova me nënshkrimin e marrëveshjes ka arrit një bashkëpunim të madh. Kosova të renditet tek vendet sipas radhës së shkronjave dhe shpresoj që kjo marrëveshje të jetë model për marrëveshjet e ardhshme”, tha Lluka, raporton EO.

Ai ka treguar se sa do të jenë tarifat me marrëveshjen për roamingun.

“Sa i përket uljes së tarifave nënkupton se nëse sot realizojmë thirrje në Ballkan, një minutë kushton 2.5 euro kurse në korrik do kushtojë shumë më pak. Ndërsa në 2021 do kushtojë 12 cent”, tha ai.

Ai tha se në këtë samit janë përfaqësuar si Kosovë dhe jo si UNMIK, përkundër zërave të tillë që janë thirrur si këta të fundit.

Të ngjashme