Lluka konfirmon se AKR-ja ka pranuar oferta për koalicione parazgjedhore: S’kemi vija të kuqe

Prishtinë | 27 Dhj 2020 | 08:34 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosova e Re (AKR), ende pa u shpallur zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme ka pranuar oferta për koalicione parazgjedhore, raporton Ekonomia Online.

Valdrin Lluka, anëtar i Kryesisë së kësaj partie në një intervistë Ekonomia Online, ka konfirmuar pranimin e ofertave pa specifikuar se nga cilat parti vijnë ato.

Por kjo parti ende nuk ka marrë vendim se si do të garojë në këto zgjedhje, që do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

“Kryesia e AKR-së ka pranuar disa kërkesa për koalicion parazgjedhore të cilat janë në shqyrtim e sipër dhe besoj që është çështje ditësh, me siguri që këtë javë duhet të vendoset a do të shkohet të vetëm apo me ndonjë partner të koalicionet”.

Vija të kuqe AKR-ja nuk do të ketë për asnjë parti, thotë Lluka. Madje sipas tij, kjo parti në tri qeveritë e fundit ka qenë vendimmarrëse dhe shtetformuese.

Si parti liberale, sipas tij, AKR-ja do të mund të bëhet vetëm pjesë e ndonjë koalicioni të vyeshëm për vendin.

“Siç e dini AKR është parti liberale dhe nuk ka vija të kuqe me asnjë parti, në asnjë formë nuk ka pasur. Në tri qeveritë e fundit mund të themi se AKR-ja ka qenë partia vendimmarrëse e shtetformuese me votat e saj dhe kështu do të vazhdojë kjo qasje si parti liberale ne e shohim interesin shtetëror parimor, para interesit partiak dhe në këtë radhë ne mendojmë që do të verojmë në të mirën e vendit duke u siguruar që votat tona, votuesit tanë do të dëgjohen dhe do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni të vyeshëm për vendin”.

Por Lluka thotë se para se të shpërbëhet Kuvendi, duhet që të votohet buxheti për vitin e ardhshëm.

Mosmiratimi i tij, thotë Lluka do të jetë edhe një “shuplakë” për sektorin privat në vend raporton EO.

“Mos miratimi i buxhetit do të ishte edhe një ofendim i radhës ndaj komunitetit të biznesit në përgjithësi, një shuplakë tjetër dhe pse u vonua me muaj të tërë, dhe mos aprovimi tash duke i shikuar vetëm interesat partiak në këtë kohë do të ishte një goditje tjetër për sektorin privat”.

“Unë mendoj që duhet të bëhet çmos që të gjitha partitë të bëhen bashkë dhe ta kalojnë buxhetin pa shpërbërjes dhe pastaj të vazhdojmë me zgjedhje kur do që caktohen”.

Të ngjashme