Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, z. Usmen Baldzi dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, kanë marrë pjesë në promovimin e programit “Amerika me Kosovën”, në Dragash, në kuadër të të cilit janë zhvilluar aktivitete kulturo-sportive nga nxënësit e komuniteteve që jetojnë në këtë trevë, si dhe është bashkëbiseduar me qytetarët e kësaj komune.
Ministri Bajrami, me këtë rast ndër të tjera tha se, ky aktivitet është një rast i mirë që të dëshmohet se në Kosovë mund të jetohet bashkë dhe se Kosova është një vend i lirë dhe demokratik, ku respektohen vlerat e secilit dhe ku diversiteti është vlerë e veçantë e shtetit.
“Kosova nuk është vend i radikalizmit, Kosova është vend i paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Është shembulli më i mirë në rajon, ku në një shkollë mësojnë së bashku fëmijët e komuniteteve të ndryshme”, theksoi ministri Bajrami.
Bajrami, gjithashtu gjatë qëndrimit në Dragash është pritur nga kryetari i kësaj komune Salim Jonuzi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në këtë komunë, sidomos mundësitë e integrimit të të gjitha komuniteteve në sistemin e arsimit të Kosovës.
Ministri Bajrami tha se, integrimi i komuniteteve në sistemin e arsimit të Kosovës është i mundur dhe duhet të bëhet gradualisht, ndërkaq shtoi se, është në interesin edhe të nxënësve të kësaj treve që të mësojnë sipas programeve që ofron sistemi ynë arsimor, të cilat janë të përshtatshme me programet shkollore të vendeve evropiane.
Ndryshe, temat për të cilat është diskutuar në kuadër të këtij programi ishin: Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm, Promovimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike, Dhuna në familje, Arsimimi dhe Zhvillimi profesional dhe tema të tjera të rëndësishme.