Kosova është i vetmi vend që nuk e ka të definuar domenin e vetë të internetit. Sipas ekspertëve të IT-së por edhe përfaqësuesve të institucioneve kjo shkakton probleme sa i përket sigurisë.
Kosova është i vetmi vend në rajon pa domen e vetë të internetit. Si pasojë e kësaj promovimi i Kosovës dhe siguria e internetit që përdoret sipas ekspertëve të IT-së është në pikëpyetje.
Mungesa e domenit shtetëror paraqet problem për kompanitë që punojnë në sektorin e teknologjisë informative dhe për bizneset.
Në mungesë të sovranitetit digjital aktualisht sa herë që qytetarët e Kosovës lidhen me internet IP adresat e tyre lidhen me vendet e tjera të rajonit si Shqipëria, Serbia si dhe Maqedonia e Veriut.
Marrja e domenit nga ana e Kosovës komplikohet edhe më shumë për shkak të mungesës së anëtarësimit në Organizatën e kombeve të Bashkuara si dhe në disa mekanizma të tjerë të kësaj organizate, thotë Zafir Berisha, zëvendësministër në ministrinë e Punëve të Brendshme.