Të dielën do t’i jepet start fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi, nga i cili synohet të dilet me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dyja shtetet. Në këtë proces Kosova hyn e ndarë, meqë përpjekjet e deritashme për një konsensus kanë dështuar, shkruan sot Koha Ditore.
Në nivel presidentësh do të zhvillohet kjo fazë bisedimesh. Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, do ta lehtësojë procesin që realizohet në Bruksel. Për takimin e fundjavës ajo ka përcjellë tashmë ftesën tek presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tek homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq.
Në Zyrën e Mogherinit kanë kumtuar të martën datën e takimit dhe kanë treguar se dialogu do të jetë intensiv. “Përfaqësuesja e lartë dhe presidentët do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e normalizimit gjithëpërfshirës të dialogut, të marrin në konsideratë marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme, sikurse edhe do të diskutojnë për hapat e ardhshëm duke pasur parasysh periudhën intensive përpara”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga kjo zyre.