Kosova pa opozitë parlamentare në raport me dialogun në Bruksel

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 11:26 | Nga Afrim Kasolli

Në mënyrë të befasishme, dje për herë të parë kryeministri Kurti, gjatë një akademinë që u mbajt në Studime të Vushtrrisë, për të përkujtuar masakrën e forcave serbe mbi popullsinë civile, bëri thirrje për unitet politik.

Me këtë rast, nuk la pa e përmendur ekskluzivisht kryetarin e PDK-së, që po ashtu ishte prezent në këtë akademi përkujtimore.

Shumë kush mund të thotë, se duke marrë parasysh natyrën e ngjarjes, ishte logjike që të flitej me atë gjuhë. Por, edhe në të kaluarën kur janë mbajtur evente të tilla përkujtimore, atë nuk e ka karakterizuar një retorikë e tillë.

Madje, ai e shfrytëzonte rastin për të sulmuar ish-pushtetarët, se po negocionin me Serbinë, deri sa ajo nuk kishte kërkuar falje për krimet e bëra mbi popullsinë civile shqiptare. Prandaj, kjo thirrje shënon një moment të ri në sjelljen e tij politike.

Ndonëse, ajo ftesë i referohej dhimbjes së përbashkët, megjithatë kuptimi i fshehur i saj mund të ketë karakter të theksuar politik dhe lidhet si me presionet që është duke i përjetuar qeveria e Kosovës për rifillimin e dialogut me Serbinë, ashtu edhe me vlerësimin që ka Albin Kurti me drejtimin që ka marr shteti i Kosovës prej se ai e ndodhet në krye të tij. Bie fjala, a do të shprehej ai në këtë mënyrë edhe në këtë ngjarje, sikur në pushtet të ishte dikush tjetër si p.sh.m njëri nga ish udhëheqësit shtetëror që ndodhet aktualisht në Hagë, kurse kryeministri të ishte në opozitë. Dyshoj shumë në një mundësi të tillë.

E kam thënë edhe një herë tjetër, se i pari i qeverisë, sot nuk ka problem me asnjërin me dy nga drejtuesit kryesorë të opozitës. Përkundrazi, si M. Krasniqin ashtu edhe L. Abdigjikun i konsideron vetëm si dy administratorë partiakë. Asgjë më shumë. Pa vetëdije dhe prapavijë vepruese historike. Dhe nuk ka asnjë rivalitet historik me ta.

Prandaj, sipas Kurtit, me fitoren e tij, Kosova ndodhet në anën e drejtë e të historisë. Ndërkaq, deri sa në krye të institucioneve gjendeshin ata që nuk janë më, ajo gjendej në një drejtim të gabuar historik. Mbi këtë premisë e kishte kundërshtuar procesin e dialogut në Bruksel.

Sepse, ai po menaxhohej nga liderë me vetëdije të shtrembëruar politike dhe historike. Rrjedhimisht, thirrja për unitet drejtuar ndaj liderit aktual të PDK-së, krahas që mund të lidhet me ngjarjen në fjalë, pra mund ta transmetojë edhe një mesazh tjetër. Ajo është ftesë për atë personalisht dhe partinë që ai drejton të orientohen drejtë ne rrethanat e reja politike. Dhe në këtë mënyrë të kenë mundësi ta përjetojnë një lloj katarsisi moral dhe kombëtar.

E të çlirohen nga pesha e mëkateve të së kaluarës.
Por si do sillet PDK-ja dhe kryetari i saj në raport me këtë retorikë joshëse, mbetet të shihet. A do t’i bashkohet kësaj nisme apo jo, nuk mund të spekulojmë ende.

Sidoqoftë, edhe në këtë pikë Albin Kurti, e ka një përparësi të theksuar në raport me ata që sot janë në opozitë, ndonëse jo me vetveten. Sepse, në kohën kur ai ishte në opozitë procesin e dialogut e kundërshtonte gjithmonë duke kërkuar një pozicion më të favorshëm për Kosovën. A e bënte këtë me bindje të plotë apo vetëm si mjet për të përfituar politikisht, kjo është një çështje tjetër. Por, refuzimin e argumentonte në terma moral dhe politik.

Ndërkohë, sot të gjitha temat që ai i ka në tavolinë, është e vërtetë që janë tema që dikur ai i ka kundërshtuar, si p.sh.m hyrja ne dialog pa kërkuar falje Serbia për krimet e bëra, apo Asosicacioni etj, por ato janë tema që i ka trashëguar nga opozita aktuale, deri sa ishte në pushtet. Prandaj, rezistenca ndaj këtij procesi nga kjo e fundit, vetëm pse tash s’ndodhet në krye të vendit, do t’i ngjante një “rebelimi” pa kauzë. Do ta linte përshtypjen e një kundërshtimi pa koncept dhe i motivuar vetëm nga ndenja e revanshint dhe marazit. Sepse, ajo do të dilte kundër vetvetes, pikërisht në kohën kur Albin Kurti, e ka përfaqësuar atë strategji, që ajo dikur e proklamonte si të vetmin opsioni i për zhbllokimin ndërkombëtar të shtetësisë.

Në këtë kontekst, kjo opozitë sot ndodhet në një udhëkryq të madh. Ose t’i nënshtrohen Albin Kurtit dhe të bëhet pjesë vagonit të tij nën emrin e unitetit të proklamuar, ose ta kundërshtojë këtë proces duke e ndërtuar një vizion alternativ, se si duhet të zhvillohet dialogu më Serbinë tash e tutje. Pra, nëse ajo nëse e tenton ta sabotojë kryeministrin në këtë pikë, fillimisht duhet të deklarojë se nuk është më pro marrëveshjeve që i ka nënshkruar deri më tani, dhe se p.sh.m, e përkrah skenarin e ripërkufizimit e linjës kufitare më Serbinë, temë kjo që dikur pat filluar ta afirmonte ish-presidenti Thaci. Opsion ky që e mbron Lëvizja për Bashkim, por që me sa kam dëgjuar edhe PSD-ja ka filluar ta përkrah si solucion ideal për zgjidhjen përfundimtare me Serbinë. Të mos keqkuptohem, personalisht nuk po e propagandoj këtë variant. Por, vetëm po tentoj të them, se çdo kundërshtim i mundshëm që nuk bazohet në kërkesa të ndryshme nga ato që janë aktualisht në tavolinë, do të ishte qesharak. Mirëpo, një mision i tillë në rrethanat aktuale ndërkombëtare duke i pamundur, sidomos pas luftës në Ukrainë. Sepse, do ta poziciononte këtë opozitë në pozicion antagonist me diplomacinë ndërkombëtare.

Prandaj, ka gjasa që partitë opozitare me dëshirë apo pa dëshirë, të bëhen pjesë e këtij uniteti në mënyrë hapur apo të heshtur, ta amnistojnë kryeministrin për sulmet që kishte zhvilluar ndaj të njëjtave tema dhe liderëve që i nënshkruan ato, e që sot mund t’i mbrojë, dhe kështu Kosova të mbetet pa opozitë parlamentare në raport me dialogun në Bruksel.

Ndërkaq, në fund të pajtohet se në kohën kur ajo dhe liderët e saj e drejtonin këtë proces ka qenë gabim, ndërsa tani kur kurë udhëhiqet nga Albin Kurti dialogu është vendosur në binarë të duhur. Dhe në këtë mënyrë me vetëdije apo pa vetëdije t’i nënshtrohet këtij vlerësimi qi ngjason një shantazhi të dyfishtë.

Të ngjashme