Janë bërë më shumë se dy javë prej kur Kujtim Shala ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendëskryeministrit të Kosovës.
Ai i kishte drejtuar një kërkesë kryeministrit Isa Mustafa, të cilën e kishte arsyetuar me angazhim më të madh në ushtrimin e detyrës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dikaster shumë i rëndësishëm për realizimin e programit të Qeverisë së Kosovës, transmeton Indeksonline.
E dje dha dorëheqje nga posti i të parit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i cili gjatë një konference për media tha se ndonëse nuk është më në këtë pozitë, agjenda evropiane mbetet prioritet i tij.
Ai theksoi se nga tani do të jap kontributin e tij në kabinetin e presidentit, por nuk do të lë anash edhe rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
E burime të Indeksonline brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se emërimet në pozitat e zbrazura nuk do të bëhen derisa të përfundoj çështja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion kufitar me Malin e Zi.
“Derisa të përfundoj demarkacioni nuk ka asgjë në këtë drejtim”, ka thënë ky burim.
Kështu i bie që edhe për një kohë pozita e zv/kryeministrit dhe ajo e ministrit të Integrimeve Evropiane do të jetë e lirë edhe për një kohë, pasi që demarkacioni ende nuk është riproceduar në Kuvend. /Indeksonline/