Plot 13 karateistë i ka paraqitur Kosova për pjesëmarrje në kampionatin evropian për seniorë që prej 10 deri më 13 maj mbahet në Novi Sad të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.
Federata e Karatesë e Kosovës të enjten ka bërë paraqitjen e garuesve për Evropian, duke konfirmuar se është e vendosur që të marrë pjesë në ngjarjen që pritet të bëjë bujë pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.
Ka javë që për paraqitjen e karateistëve të Kosovës në Serbi kanë shkruar mediat e këtij vendi fqinj dhe kanë folur zyrtarët sportivë serbë. Ndërkohë nuk ka ndonjë qëndrim nga Federata botërore apo ajo evropiane e karatesë.
Karateistët mund të bëhen sportistët e parë që prezantojnë Kosovën në një ngjarje ndërkombëtare që mbahet në territorin e Serbisë.