Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka nënshkruar marrëveshjen IPA 2023 me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilën Kosova do t’i përfitojë 75 milionë euro të dedikuara për fushën e energjisë.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Bislimi tha se ky program përbën një hap tjetër të Kosovës drejt integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.
Bislimi tha se marrëveshja hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, derisa 68 milionë euro do të barten në buxhetin e shtetit shumë shpejt, kurse 7 milionë vitin tjetër.
“Sot e nënshkruam marrëveshjen financiare IPA 2023 e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën një hap tjetër drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova fiton 75 milionë Euro të cilat do të na ndihmojnë në kalimin e krizës energjetike”, tha Bislimi.
“Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje të cilat kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa 7 milionë euro vitin e ardhshëm. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në kuadër të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha tutje Bislimi.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nënshkruan sot në Prishtinë një marrëveshje financimi që do t’i mundësojë BE-së t’ia transferojë Kosovës 75 milionë euro si ndihmë financiare të drejtpërdrejt dhe t’u ndihmojë qytetarëve dhe bizneseve të përballen me krizën energjetike.
75 milionë euro janë kësti i parë i parave që Kosova do t’i marrë nga pakoja e BE-së për mbështetjen për energji për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 1 miliardë eurosh, të krijuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj për t’i ndihmuar rajonit që ta kapërcejë krizën energjetike dhe rritjen e madhe të çmimeve të energjisë që i ka shkaktuar pushtimi i plotë, i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës.
E tërë pakoja do të dorëzohet në dy pjesë, nga 500 milionë euro secila, ku e para dhe e menjëhershmja do të fokusohet në ofrimin e mbështetjes së drejtpërdrejt për familjet dhe bizneset më të prekura, ndërsa e dyta në tranzicionin e rajonit drejt energjisë së pastër dhe uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile të Rusisë.
“Pushtimi i plotë, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndikuar në tërë botën, duke shkaktuar kriza energjetike dhe ushqimore. Efektet e këtyre krizave i kanë ndjerë më së shumti ekonomitë më të cenueshme, ndërsa BE-ja ka ndërhyrë që ta mbështesë Ukrainën që t’i shmanget pushtimit, por edhe t’u ndihmojë partnerëve të saj që të përballen me krizat”, tha ambasadori Szunyog.
“BE-ja ka qëndruar pranë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit dhe e ka përfshirë Ballkanin Perëndimor në veprimet e saj për t’u ndihmuar shteteve anëtare që të përballen me krizën, duke përfshirë planin REPowerEU. Mbështetja financiare e ofruar përmes Pakos për mbështetjen për energji të BE-së vjen si shtesë dhe synon t’i mbështesë drejtpërsëdrejti njerëzit dhe bizneset në Kosovë”, shtoi Szunyog.
Nga 75 milionë euro që BE-ja po i transferon tani në Kosovë, një e treta ose 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti, për rreth 200,000 familje, duke përfshirë pensionistët, nënat vetë-ushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara.
15 milionë euro do të shkojnë për motivimin e publikut për ta kursyer energjinë, duke iu ofruar familjeve subvencione për faturat e energjisë të barabarta me shumat që ata i kanë kursyer krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo masë do të zbatohet për periudhën janar-prill 2023 dhe nga ajo pritet të përfitojnë rreth 160,000 familje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur të veçantë programin pasi siç tha ajo i shërben direkt nevojave që ka pasur Kosova.
“Mesatarisht, familjet kosovare, gjatë vitit të kaluar kanë konsumuar 4% më pak energji elektrike sesa vitin e kaluar. E veçanta e këtij programi është që ai është në përputhje me prioritetet dhe nevojat tona”.
Rizvanolli ka thënë se Fondi i Efiçencës së Energjisë me programin do të zhvillojë programe të tjera në ndihmë të familjeve kosovare.
“Gjatë vitit të kaluar Fondi i Efiçencës së Energjisë ka zbatuar 38 projekte me investim mbi 5 milionë euro. Ky fond do ta zbatojë me këtë program, programe të reja për familjet, në izolim të shtëpive, ndërrim të dritareve e dyerve, etj. Nuk kam dyshim se do të jetë një program isuksesshëm”, tha ajo, raporton EO.