Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se Kosova do të jetë pjesë e fushatës globale kundër dhunës ndaj grave me moton “As edhe një më shumë”, raporton Ekonomia Online.
Ajo më tej ka shtuar se do të organizohen rreth 200 aktivitete të cilat do të shtrihen në vendin. Sipas saj, raportimi i dhunës është obligim i secilit.
Haxhiu ka dhënë detaje e aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit, duke shtuar se MDJ-a do të organizojë mbi 30 aktivitete.
Ajo me tej ka njoftuar se bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku do të organizojnë shfaqje të filmave dhe shfaqjeve teatrale që trajtojnë pozitën dhe rolin e gruas.
“Dhuna në familje dhe me bazë gjinore duhet të luftohen, raportimi është obligimi i secilit. Vetëm të bashkuar do të mund të arrijmë të minimizojmë dhunën dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë. As edhe një më shumë, është thirrje individuale dhe institucionale për thyerje të heshtjes dhe për raportim”.
“Këtë vit, pra nesër, fushata 16 ditë të aktivizmit hapet në Bibliotekën Kombëtare në ceremoni të veçantë, që i dedikohet viktimave. Prej nesër e ditëve në vijim do të organizohen 200 aktivitete të cilat do të shtrihen në gjithë Kosovën dhe kanë targete të ndryshme shoqërore. Këto rreth 200 aktivitete organizohen përveç se nga institucionet e Kosovës, po ashtu edhe nga organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë. Për 16 ditë do të organizohen tryeza, diskutime, vizita në qytete e fshatra, takime në institucione e komuna, tubime me vajza e gra, tubime në shkolla, klube të sporteve, shoqata edhe në biznese”.
“MD do të organizojë mbi 30 aktivitete, ndër to do të lansojmë protokollin shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, i cili u votua dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, si dhe kurrikulën për trajtimin e e dhunuesve, të dy këto dokumente të rëndësishme që ndërlidhen me zbatimin e Konventës së Stambollit. Po ashtu, në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit në bashkëpunim me MAShT-in në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, nxënësit dhe mësimdhënësit orën e parë të mësimit do të ja dedikojnë temës së dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. Kjo do të ndodhë qysh nesër në orën 08 të mëngjesit”.