Ka javë që futbolli në Evropë është pezulluar për shkak të përhapjes së pandemisë të koronavirusit. Nuk dihet se kur do të vazhdojnë garat e futbollit, por kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti. Konfederata Evropiane e Futbollit – UEFA tashmë e ka shtyrë Evropianin për vitin tjetër dhe kjo vlerësohet se krijon mundësi që ndeshjet e plejofit të luhen më vonë këtë vit apo edhe vitin tjetër.
Në gjithë Evropën po zhvillohen diskutime nëse duhet të zhvillohen tutje ligat nacionale dhe ndeshjet e përfaqësueseve aktualisht nuk janë fare prioritet, transmeton KOHA.
Ndeshja në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, që është dashur të luhej më 26 mars në Shkup tani ka mundësi të mëdha që të mos luhet as në fillim të muajit qershor, siç ishte caktuar më herët – 4 qershor. Për këtë ndeshje dhe të tjerat pritet të vendoset të mërkurën (sot), kur edhe do të mbahet një video-konferencë e sekretarëve të 55 shteteve anëtare të UEFA-s.
Por, është një klub me emrin Kosova, me seli në Malmo të Suedisë që në këtë kohë, kur futbolli në shumicën e vendeve të botës është pezulluar, vazhdon të luajë ndeshje futbolli përgatitore për edicionin e ri në rangje të ulëta suedeze. Kosova të dielën zhvilloi miqësoren e radhës kundër skuadrës tjetër suedeze, Sodra Sandby, ndeshje të cilën e humbi me shifrat 4:3. Ndërsa miqësore të tjera Kosova zhvilloi edhe në javët e kaluara.
“I kemi zhvilluar katër ndeshje miqësore. Ka pasur edhe shikues”, tregon Migjen Shaqiri, që është kryetar, trajner dhe lojtar i ekipit amator shqiptar të Suedisë.
Kosova IF garon në Divizionin e katërt të Suedisë dhe kampionati në këtë kategori pritet të fillojë këtë muaj, saktësisht më datën 14 prill. Shaqiri tregon se lirinë për të luajtur futboll ua ka dhënë shteti i Suedisë. Madje insiston se futbollistët, por edhe vetë ai nuk kanë fare frikë nga infektimi me koronavirus. Në Suedi, sikurse në pak vende të Evropës, po vazhdon jeta normale.