Një ekip i madh i përbërë nga gjashtë xhudistë do ta përfaqësojë Kosovën në kampionatin evropian për garuesit deri 23 vjeç. Evropiani U-23 për vitin 2017 do të mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.
Garat nisin të premten (sot).
Kosovën në Evropianin U-23 e përfaqësojnë Akil Gjakova (73 kilogramë), Distria Krasniqi (52 kg), Flaka Loxha (57 kg), Leutrime Krasniqi (57 kg), Laura Fazliu (63 kg) dhe Loriana Kuka (70 kg), shkruan KD.
Përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, pret paraqitje të mirë të xhudistëve në Evropianin në Podgoricë. Në fakt, Evropiani U-23 për nga niveli është dukshëm prapa Evropianit për seniorë, por mbetet garë e vlerësuar për seniorët e rinj, përkatësisht xhudistët që janë në fillim të karrierës te të rriturit.