Kosova pret shumë nga amerikani i saponatyralizuar

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Një amerikan i ri dhe lojtarë të konfirmuar e të pakonfirmuar kanë zënë vend në përfaqësuesen e Kosovës për dy ndeshjet e ardhshme, që mund të jenë vendimtare për këtë cikël, shkruan sot Koha Ditore.

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomeroviq të martën ka publikuar listën me emrat e 14 lojtarëve, në të cilët llogarit për ndeshjet me Rumaninë e Maqedoninë. Të dy ndeshjet luhen në udhëtim, ndërsa janë të vlefshme për Grupin B të raundit të dytë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”.

Emër i ri te Kosova është plejmejkeri amerikan Malcolm Armstead, që është ftuar pasi dy amerikanët e tjerë të natyralizuar, Scott Bamforth e Shawn Jones nuk kanë shfaqur shumë interesim që të bashkohen me Kosovën për ndeshjet që luhen më 29 nëntor e 2 dhjetor. Kosova më 29 nëntor luan ndaj Rumanisë në Oradea, ndërsa më 2 dhjetor ndaj Maqedonisë në Gjevgjeli.

Aktualisht në grup prin Maqedonia që i ka katër pikë, pas fitoreve ndaj Kosovës (76:73) në Prishtinë më 13 shtator dhe ndaj Rumanisë më 16 shtator (90:76). Kosova e Rumania i kanë vetëm nga një pikë. Vetëm vendi i parë siguron kualifikimet për “Eurobasket 2021”, ndërsa dy vendet e tjera dërgojnë në raundin e tretë parakualifikues. Pra Kosova edhe në rast të dështimit, do të ketë një rast tjetër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme